English

Ndahet Nga Jeta Në Moshën 76-Vjeçare, Aktori Bep Shikora

TIRANË, 1 Korrik /ATSH, Edmond Prifti/ - Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare, pas një ataku kardiak aktori i mirënjohur, Bep Shiroka. Aktori ndërroi jetë në banesën e tij në qytetin e Shkodës. Bep Shiroka, i mirënjohur nga publiku shqiptar në komedinë, "Çifti i Lumtur" si dhe "Koncert në vitin 1936", lindi në Shkodër më 25 shtator 1933. Roli i tij i parë dytësor, ka qenë në dramën "Nora e Kelmendit", ku Shiroka arrin t'a interpretojë në mënyrë të shkëlqyer, duke iu besuar më pas roli kryesor në dramën "Histori Irkutase". Përgjatë karrierës së tij, Shiroka ka interpretuar në më se 150 role, të cilat e bënë të dashur jo vetëm për publikun shkodran, por edhe për atë mbarëshqiptar; veçanërisht në dramat "Dasëm me Flamur" dhe "Franku i V"-të. Në kinematografi, roli i tij i parë ka qenë ai i personazhit Ram Sokoli, në vitin 1970 në filmin "Lugina e pushkatarëve". Por interpretimi më brilant i Bep Shirokës, e njëherazi ai që do ta bënte të mirënjohur para gjithë artdashësve shqiptarë, do të ishte babai fanatik në filmin "Çifti i Lumtur", në vitin 1975. Karriera e tij vijoi më tej me më se 30 role të tjera të interpretuara me shumë mjeshtëri. Vlen të përmendet roli i xhandar Veselit, në filmin "Koncert në vitin 1936". Për meritat e tij artistike, Bep Shiroka është vlerësuar me titullin e lartë "Artist i Merituar".
KOMENTE