Durrës, 1 korrik, NOA – Forcat e policisë së Durrësit kanë mundur të vënë në pranga 7 persona, të cilët sot u konfliktuan me punonjësit e Inspektoriatit Urbanistik të Ndërtimeve, për prishjen e ndërtimeve pa leje në Hamallaj pasi bllokuan rrugën që herët në mëngjes.
Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA duke bërë me dijeni se të ndaluarit kanë përkatësisht Alfret Kukaj, 26 vjeç, lindur në Kukës e banues në Sukth; Pjetër Kaci, 65 vjeç, lindur në Rrëshen dhe banues në Sukth; Avni Rustemaj, 55 vjeç, lindur në Tropojë e banues në Sukth; Edmir Osmanaj, 32 vjeç, lindur në Tropojë e banues në Sukth; Mentor Çekrezi, 27 vjeç, lindur në Kukës e banues në Sukth; Abedin Rustemaj, 38 vjeç , lindur në Tropojë e banues në Tiranë dhe vëllai i tij Agim Rustemaj, 52 vjeç.
Konfirmohet më tej se ata me ndërhyrjen e tyre u kanë shkaktuar dëmtime të rrezikshme për jetën në pjesë të ndryshme të trupit 10 punonjësve të Policisë.
Mes tyre, tre efektivë të Ndërhyrjes së Shpejtë me emrat K.Kodra, N.Lezha dhe B.Vatakshi, paraqiten me dëmtime më serioze dhe aktualisht po marrin ndihmën mjekësore pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë.
Ndërkaq, nga ana e strukturave të policisë, po punohet për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë si autorë në këtë ngjarje, me qëllim vënien e tyre para përgjegjësisë penale.
Ndërsa të ndaluarit e lartpërmendur do të ndiqen mbi bazën e neneve të Kodit Penal për “Organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Pengimi i mjeteve të transportit”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Goditje për shkak të detyrës, e kryer në bashkëpunim”. n.e/NOA