English

Ndarja e kufijve Kosovë-Serbi, ideja analizohet edhe në Maqedoni

Shkup, 1 Korrik, NOA – Qarkullimi i idesë për shkëmbimin e territoreve në Ballkan, gjegjësisht midis Serbisë dhe Kosovës, një paralajmërim i lançuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK) është një temë debati në qarqe politike dhe analitike edhe në Maqedoni.

Drejtori i GNK-së, Marko Prelec konfirmon këtë paralajmërim, mirëpo ai ka shfaqur zyrtarisht doza rezerve lidhur me realizimin e kësaj ideje, për ndryshimet e kufijve në Ballkan.

Drejtori i Institutit për Studime Politike, Rizvan Sulejmani thekson se kjo ide për ndarje kryesisht favorizohet nga faktori serb në rajon, me qëllim të manipulimit me shqiptarët.

“Mendoj se ideja për ndarje të reja në Ballkan është një tendencë për të manipuluar me shqiptarët, sepse një version i tillë i riformatimit të kufijve do të ishte i pakompensueshëm për shqiptarët. Ky koncept serb nuk përkon me atë të shqiptarëve", ka theksuar Sulejmani, duke shtuar se qëndrimi i politikës shqiptare është integrimi në strukturat euroatlantike dhe jo ndarjet e reja në Ballkan.

Prorektori i Universitetit FON, Mersel Bilalli thekson se ideja e shpalosur sërish për ndarje dhe riformatim të kufijve në Ballkan është një projekt i rrezikshëm. “Definitivisht kjo do të sjellë shumë zinxhirë të rrezikshëm apo spirale të dhunës, në të cilën do të përfshihet tërë Ballkani por edhe Evropa”, ka theksuar Bilalli, duke shtuar se kjo ide është më shumë e niveleve analitike dhe e instituteve të ndryshme politike.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka paralajmëruar se një ide e tillë për shkëmbim territoresh do të ishte e rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin dhe se ajo nuk do të fillonte e as nuk do të përfundonte me Kosovën. “Ne e përjashtojmë këtë. Ndarjet nuk mund të fillojnë dhe të përfundojnë vetëm me Kosovën, prandaj e mira e gjithë rajonit do të ishte qasja drejt integrimit në BE”, deklaroi Kuçi.

Në Maqedoni ndarja e vendit u promovua në vitin 2001 nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve (AMSHA), por ajo ishte hedhur poshtë nga bashkësia ndërkombëtare dhe UÇK-ja e cila ishte aktive në terren.

NOA-INA

KOMENTE