English

Nisin Pushimet Verore Për Fëmijët Jetimë

TIRANË, 1 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/.- Rreth 236 fëmijë jetimë, që trajtohen në nëntë qendrat rezidenciale dhe ditore, filluan programin tre mujor të pushimeve verore dhe aktiviteteve sportive. Në orët e para të ditës së sotme, 39 fëmijët e shtëpisë "Zyber Hallulli" në Tiranë, u nisën drejt plazhit te Golemit, ku sipas drejtueses së shtëpisë, Drita Mandreja, "fëmijët do të pushojnë rreth një muaj". Muajt e verës për këta fëmijë do të kenë dhe aktivitete të tjera si frekuentimi i pishinave deri në orët e pasdites, vizitat në muze, kinema, koncerte, aktivitete sportive, programe leximi, etj. Ashtu si fëmijët jetimë të "Zyber Hallullit", në Tiranë, pushime verore janë organizuar edhe për qindra fëmijë të tjerë të sistemuar në qendrat publike në Durrës, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Sarandë. Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço, tha se stafet e qendrave të fëmijëve bëjnë përpjekje që gjatë pushimeve fëmijët ta kalojnë kohën në mënyrë sa më të gëzuar, me qëllim që t'ua bëjnë më të lehtë edhe mungesën e familjes. /s.s./
KOMENTE