"Një Okb"- Në Tre Vite, Punësim Për 48 Mijë Të Rinj Në Vend
-3.3 milionë dollarë për nxitjen e punësimit dhe shmangien e emigracionit të parregullt-
TIRANË, 1 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/.- Brenda tre viteve të ardhshme do të punësohen 48 mijë të rinj, sipas qëllimit të përcaktuar në projektin "Migrimi i Rinisë- Vjelja e përfitimeve dhe zbutja e risqeve", pjesë e programit "Një OKB", me vlerë 3.3 milionë dollarë, akorduar nga fondi spanjoll.
Për realizimin e këtij projekti një vit më parë nisi ndërtimi i planit të veprimit, "zbatimi i të cilit do të nisë nesër me çeljen në Shkodër të qendrës së re të Shërbimit të Punësimit të të Rinjve (SHPR) pranë Zyrës Rajonale të Punësimit", tha zv/ministri Kastriot Sulka, në seminarin "Punësimi i të rinjve në Shqipëri: Qasje të reja dhe mekanizmat financues", ku u diskutuan masat që do të merren mbi tregun e punës.
Sipas Sulkës, të parët që do të përfitojnë nga ky program janë të rinjtë në Qarkun verior të Shkodrës dhe atë verilindor të Kukësit, të cilët konsiderohen ndër më të prekurit nga punësimi informal dhe emigrimi
Grupmosha 16-24 vjeç në Shkodër dhe Kukës përbën rreth 40 për qind të numrit të përgjithshëm të të regjistruarve si të papunë në këto qarqe.
Shqipëria është një ndër 7 vendet evropiane të përzgjedhura për pilotimin e kësaj nisme për reformimin e Kombeve të Bashkuara, "një nismë që synon nxitjen e punësimit të të rinjve në zonat veriore, për të minimizuar rreziqet e përfshirjes në migracionin e parregullt, përmes përmirësimit të prodhimtarisë, shndërrimit të ndërmarrjeve informale dhe kushteve më të mira të punës", tha Drejtori i zyrës së UNDP, Norimasa Shimomura, i cili theksoi se punësimi i të rinjve është kyç për uljen e varfërisë dhe zhvillimit të vazhdueshëm.
Kryetari i Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Gjovalin Kolombi, vlerësoi se ngritja e Zyrës Rajonale të Punësimit do të forcojë aksesin e fondeve të qeverisjes rajonale nga instrumentat europiane dhe do të aktivizojë bashkëpunimin edhe me bizneset.
"Ngritja e këtyre zyrave është primare për përfshirjen sociale dhe integrimin e të rinjve", tha Presidentja e Asamblesë së Rajoneve të Europës, Michele Sabban, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve publikë dhe privatë në dobi të qytetarëve.
Programi i përbashkët për Rininë, Punësimin dhe Migrimin do të zbatohet nga ILO, IOM, PNUD dhe UNICEF, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ai synon të mbështesë përpjekjet e Qeverisë shqiptare për të integruar përparësitë e politikave të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI 2007-2013) për punësimin e të rinjve dhe migrimin me strategjitë e punësimit dhe trajnimit profesional.
Rezultatet e pritshme në fund të programit, tha Ambasadori i Spanjës, Manuel Montobbio, "përfshijnë përmirësimin e kapaciteteve të qeverisë shqiptare për të monitoruar treguesit e tregut të punës për të rinjtë, përmirësimin e njohurive dhe të kuptuarit të politikave të integruara dhe masave për të trajtuar ekonominë informale dhe ndikimin e saj në migrim, etj".
-Pakësimi i rreziqeve të emigrimit përmes programeve krijuese të punësimit
Sipas një raporti të Ministrisë së Punës, programet e punësimit të ILO-s, PNUD-it, dhe UNICEF-t, do të ndërtojnë kapacitetet lokale për zbatimin e masave të punësimit të të rinjve në dy qarqet pilot, Shkodër dhe Kukës, sikurse do të demostrojnë këto programe drejt nevojave të punëtorëve.
Programet e tregut aktiv të punës do të synojnë si ofertën, ashtu edhe kërkesën për punë, me qëllim lehtësimin e kalimit në punë të përshtatshme të të rinjve të nënpunësuar dhe të punëtorëve të rinj informalë në rrezik të migrojnë.
Nxitja e të drejtave të punëtorëve të rinj do të jetë pjesë e paketës së shërbimeve të tregut të punës dhe të veprimtarive për rritjen e ndërgjegjësimit. Këto të fundit do të përbëhen nga veprime parandaluese të kryera në terren, si nëpër shkolla, veprime të cilat synojnë ndërgjegjësimin e të rinjve për zgjedhje arsimore, mundësi për punë të përshtatshme, mjete të rregullta të migrimit dhe rrezikun që lidhet me migrimin e parregullt. Paketat e informacionit do të përfshihen në faqet e internetit të institucioneve qeveritare dhe të Agjencive pjesëmarrëse në këtë program.
-Tendencat social-ekonomike në qarqet e Kukësit dhe Shkodrës
Në raportin e Ministrisë së Punës theksohet se transformimi rrënjësor i ekonomisë dhe ndryshimet e mëdha demografike si pasojë e migrimit të brendshëm dhe të jashtëm janë dy nga fenomenet më të dukshme në Shqipëri.
Pas më shumë se 15 vjetësh që nga fillimi i tranzicionit, Shqipëria mbetet kryesisht vend rural, ku 55 për qind e popullsisë vazhdon të jetojë në zonat rurale. Kjo ndodh sidomos në qarqet e Kukësit dhe të Shkodrës, ku 76 dhe 61 për qind e popullsisë jeton përkatësisht në zonat rurale.
Paralelisht me shndërrimin e ekonomisë, Shqipëria përjetoi një migracion shumë të lartë, sidomos nga zonat veriore drejt kryeqytetit dhe drejt zonave bregdetare. Nga viti 1989 në 2001, rrethet e Tropojës (qarku i Kukësit) dhe Pukës (qarku i Shkodrës) humbën pothuaj gjysmën e banorëve, kurse nga 2004 në 2005, qarku i Kukësit humbi më shumë se 11,000 banorë (afërsisht 11 për qind të popullsisë së 2004). Shkalla e papunësisë së të rinjve në Kukës llogaritet në 39.7%, ndërsa në Shkodër 40.4%./s.s./