English

Opozita braktis sallën e kuvendit, Ruçi:Nga sot, do bojkotojmë çdo ligj

Tiranë, 1 korrik, NOA – Para pak minutash, opozita braktisi, kuvendin, ndërsa pas seancës së gjatë plenare po votoheshin një sërë projektligjesh, ndër të cilët ai i ndryshimeve në rregullore, për votimin e hapur të dekreteve të presidentit për anëtarët e gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, i kundërshtuar nga opozita.

Ky vendim për braktisjen e seancës erdhi pas fjalës së kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili ripërsëriti tashmë në foltoren e kuvendit atë, që deklaroi një ditë më parë, se opozita nuk do të votojë asnjë ligj në kuvend pa u bërë transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Kryetari i grupit të PS-së, Ruçi deklaroi nga foltorja e kuvendit, se “duke patur parasysh se kriza po përkeqësohet jo për faktin se opozita s’e do dialogun, por për shkak se mazhoranca nuk po i jep zgjidhje krizës duke mos bërë transparencën e kërkuar të votave, por madje po e agravon edhe më tej krizën duke hedhur hapa të rinj, si miratimin e ndryshimeve në rregullore, duke i mundësuar vetes kështu kontrollin e gjykatave, SHISH-it, institucionit të Presidentit, pushtetit vendor, opozita do të nisë marrëdhënien e kushtëzuar me kuvendin”.

Sipas kreut të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, ky hap për mos votimin në kuvend të asnjë projektligji, as me shumicë votash dhe as me pakicë, erdhi për shkak se opozita e sheh të domosdoshëm atë për arritjen e demokracisë në vend dhe transparencën e saj.

Sipas Ruçit opozita do të ketë sërish axhendën e saj në Kuvendin e Shqipërisë.

Braktisja e sallës së Kuvendit nga opozita erdhi pas një seance të gjatë debatesh dhe replikash mes mazhorancës dhe opozitës.

mit/NOA

KOMENTE