Prifti: Mbeshtesim Ossh Ne Perpjekjet Per Ti Dhene Fund Abuzimeve Me Energjine
-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti viziton zyrat e CEZ, takohet me drejtorin e Përgjithshëm të OSSH, Jozef Hejsek-
TIRANE, 1 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në një vizitë që zhvilloi sot në zyrat e kompanisë CEZ në Tiranë, e cila ka privatizuar rreth një vit më parë Operatorin e Sistemit te Shperndarjes, mbështeti kompanine në përpjekjet për ti dhene fund abuzimeve me energjine.
Ministri Prifti zhvilloi një takim me përfaqësues të kompanisë CEZ, kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i OSSH Jozef Hejsek, ku u informua lidhur me punën që është bërë nga kompania gjatë një viti që nga momenti i privatizimit, si dhe objektivat e synuar për tu realizuar në të ardhmen.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim, ministri i Ekonomisë, vlerësoi punën e bërë nga kompania CEZ gjatë vitit të parë të privatizimit të OSSH dhe nuk mohoi faktin se, gjatë këtij viti ka pasur edhe probleme, ndonëse janë bërë përmirësime dhe investime të konsiderueshme. Përsa i përket se ardhmes, ministri z. Prifti ka kërkuar më shumë vëmendje nga ana e kompanisë CEZ në disa çështje në funksionimin e OSSH.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës garantoi përfaqësuesit e OSSH se qeveria dhe parlamenti do t'i mbështesë ata, me krijimin e legjislacionit të nevojshëm, në mënyrë që konsumatorit shqiptar t'i shërbehet më mirë, më shpejtë dhe në mënyrë transparente, si dhe që të mos ketë më abuzime me energjinë elektrike.
Detyra e kompanisë tuaj, tha Prifti, ka qenë shumë e vështirë, sepse ju morrët në ngarkim dhe privatizuat një kompani që ka pasur shumë probleme; një kompani me bilance negative; me humbje shumë të mëdha në rrjet, mbi 40 për qind; me borxhe të trashëguara; me një rrjet problematik dhe të dobët.
"Eliminimi përfundimisht i faturimit aforfe për shkak të investimeve që ju keni bërë me mbi më shumë se 100 mijë matësa të energjisë elektrike, është diçka për tu përshëndetur sepse keni investuar pothuajse 60 milionë euro gjatë një viti, kryesisht në sistemin e matjes dhe mirëmbajtje. Ndërkohë që keni filluar të bëni përmirësime në sistemin e faturimit, përmirësime në menaxhimin financiar të kompanisë, përmirësime në mënyrën e mbajtjes së inventarit, në planet e investimeve"-tha kreu i ekonomisë. Megjithatë, vijoi ai, do të doja që të ishit më të kujdeshshëm përsa i përket largimeve nga puna të personave.
"Jam plotësisht dakord që kur personat kapen me abuzime, kur bëjnë mashtrime dhe vjedhje ndaj kompanisë së vet, të largohen nga puna, por edhe të bëhet kallëzim penal në prokurori. Por, në disa raste të tjera janë larguar njerëz jo mbi prova të verifikuara, jo mbi një dosje të justifikuar për largimet e tyre, njerëz që kanë punuar edhe 20 apo 30 vjet në kompani, me vlera për kompaninë. Edhe vetë kompanisë nuk i intereson të largohen njerëz të kësaj kategorie dhe cilësie"-tha ai.
Duke u ndalur në një çështje tjetër, ministri Prifti, theksoi se, duhet t'i kushtoni vëmendje të veçantë që është kohëzgjatja e vendosjes së lidhjeve të reja.
"Keni filluar shumë mirë, por kemi akoma shumë për të bërë dhe unë si përfaqësuesi i qeverisë dhe i minorancës në aksionet e OSSH garantoj që edhe Parlamenti është në dispozicionin tuaj, nëse do të jetë e nevojshme, për të bërë ligje të reja, për të goditur abuzuesit, sepse është e papranueshme që humbjet janë rreth 34 për qind dhe më shumë se sa 20 për qind janë vjedhje që i bëhen energjisë elektrike"-theksoi ministri Prifti, duke shtuar se si qeveri dhe si Parlament jemi të gatshëm t'ju mbështesim në misionin tuaj shumë pozitiv për t'i shërbyer më mirë konsumatorit shqiptar. a.m