Programe Të Reja Studimi Në Katër Universitete Publike
TIRANË, 1 Korrik/ATSH/.- Çelen të tjera programe të reja studimi të ciklit të parë në katër universitete të vendit.
Qeveria shqiptare, në mbledhjen e fundit miratoi propozimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për hapjen e këtyre programeve në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe të Rekreacionit, të Universitetit të Sporteve të Tiranës, universitetin "Aleksandër Xhuvani" Elbasan, "Fan S. Noli" në Korçë dhe në universitetin "Eqrem Çabej" Gjirokastër.
Sipas vendimit, Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe të Rekreacionit, të Universitetit të Sporteve të Tiranës, do të ofrojë për studentët program studimi në "Fushat e veprimtarisë fizike, të shëndetit dhe të rekreacionit" dhe "Shkenca të lëvizjes". Në përfundim të studimeve lëshohet "Diplomë e nivelit të parë".
Në universitetin e Elbasanit do të nisin programet e studimeve në " Gjuhë shqipe dhe frënge", " Histori dhe gjuhë gjermane" dhe "Gjeografi dhe gjuhë italiane".
Programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike.
Universiteti "Fan S. Noli", Korçë do të nisi këtë vit programin e studimeve të ciklit të parë "Teknologji informacioni", e cilësuar një fushë prioritare nga qeveria.
Edhe në universitetin "Eqrem Çabej", Gjirokastër, do të ketë këtë vit programe studimit në "Fizikë dhe Teknologji Informacioni " dhe "Teknologji Informacioni"./e.gj/s.s./