English

Seuli Refuzon Bisedime Direkte Ushtarake Me Phenianin Për Mbytjen E Korvetës Koreanojugore

SEUL, 1 korrik /ATSH-AFP/ - Koreja e Jugut refuzoi sot bisedimet ushtarake të drejtpërdrejta të propozuara nga Koreja e Veriut për të hedhur dritë mbi rrethanat e mbytjes në fund të marsit të anijes korvetë koreanojugore ''Cheonan'', për të cilën fajësohet Koreja e Veriut. "Qeveria koreanojugore duhet t'u japë përparësi diskutimeve në Këshillin e Sigurimit në OKB'', deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme koreanojugore, Kim Young-Sun. Në një letër të drejtuar misionit diplomatik të Meksikës, që mori në qershor presidencën e Këshillit të Sigurimit, një kopje e së cilës u sigurua nga AFP, Pheniani i propozonte bisedime ushtarake të drejtpërdrejta me fqinjën e tij lidhur me mbytjen e një luftanijeje. Një hetim ndërkombëtar deklaroi në fund të majit se një sulm me silur nga një nëndetëse koreanoveriore. Por, Koreja Veriore ka hedhur poshtë përgjegjësitë për diçka të tillë dhe ka kërkuar të hetojë në vendngjarjen e incidentit, i ndodhur në 26 mars në afërsi të kufirit detar mes dy Koreve dhe që shkaktoi vdekjen e 46 marinsave koreanojugorë. "Besojmë thellësisht se mënyra më e mirë për sqarimin e kësaj çështje është që Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut të ulen dhe të analizojnë ngjarjen për të gjetur së bashkur të vërtetën", theksohej në letër./ /i.p/
KOMENTE