Topi Dekreton Ligjin Për Trajtimin Financiar Të Familjarëve Të Punonjësve Të Rënë Në Krye Të Detyrës
TIRANË, 1 Korrik/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi sot ligjin për trajtimin financiar të familjarëve të punonjësve të organeve ligjzbatuese, të rënë në krye ose për shkak të detyrës, i miratuar në Kuvend në seancën plenare të 17 qershorit 2010.
Ligji i propozuar nga Ministria e Financave, përcakton mënyrën e trajtimit ekonomik dhe financiar dhe dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të disa kategorive, që humbasin jetën në krye të detyrës.
Përveç pensionit familjar, të afërmit e personave të rënë në krye të detyrës do të përfitojnë edhe kredi në bursa të plota arsimore, strehim me përparësi nga Enti Kombëtar i Banesave etj, sipas kritereve dhe procedurave të parashikuara.
Gjithashtu, sot Presidenti i Republikës, dekretoi dhe ratifikimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shteteve EFTA dhe të marrëveshjeve për bujqësinë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës e Principatës së Lihtenshtejnit, Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Norvegjisë dhe Republikës së Shqipërisë e Republikës së Islandës, si pjesë përbërëse të saj./a.s/s.s./