Turqia Dhe Izraeli Në Kërkim Të Përmirësimit Të Marrëdhënieve Dypalëshe
- Takim i fshehtë i ministrit izraelit të Tregtisë dhe shefit të diplomacisë turke -
JERUSALEM, 1 korrik /ATSH-MIA/ - Ministri izraelit i Tregtisë, Benyamin Ben-Eliezere është takuar me ministrin turk të Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu në përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, njoftoi media izraelite.
Informacioni është konfirmuar nga kabineti i kryeministrit izraelit, Benyamin Netanjahu, i cili ka dhënë miratimin për takimin e sipërcituar.
Ndërkaq, ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Avigdor Liberman ka protestuar ashpër për shkak se nuk ka qenë i informuar për takimin.
''Ben-Eliezer është takuar me Davutoglunë para disa ditëve në Evropë'', njoftoi televizioni izraelit ''Channel 2'', pa dhënë hollësi.
Sipas gazetës ''Arec'' bisedimet janë zhvilluar në Zvicër.
Ky është takimi i parë izraelito-turk në nivel ministrash, pas sulmit të komandove izraelite kundër një flotiljeje ndërkombëtare me ndihma për Rripin e Gazës, më 31 maj, ku humbën jetën nëntë aktivistë turq./
a.jor.