English

Urdhri I Infermierit-Prioritet, Kujdesi Sa Më Cilësor Ndaj Pacientit

TIRANË, 1 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Prioritet i punës së Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë është rritja e nivelit të sjelljeve etiko-profesionale të infermierëve dhe fizio-terapistëve e kujdesi sa më cilësor ndaj pacientëve, ndaj me qëllim njohjen dhe zbatimin e ligjit, kodit dhe statusit të infermierit janë organizuar një sërë konferencash rajonale. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Urdhri i Infermierit bën të ditur se gjatë tre konferencave rajonale në qarqet Elbasan, Gjirokastër dhe Kukës, krahas njohjes me dokumentat e mësipërme, janë zhvilluar edhe një sërë temash profesionale, në kuadrin e edukimit të vazhdueshëm profesional të infermierëve. Këto aktivitete janë të akredituara dhe gjithë pjesëmarrësit janë pajisur me çertifikata dhe kreditet e nevojshme. Gjatë këtyre konferencave janë ngritur dhe shqetësime nga ana e infermierëve, sikurse janë nevoja për më tepër motivim dhe më shumë hapësira për përfaqësim në të gjitha nivelet e drejtimit të institucioneve shëndetësore, punësimi i disa infermierëve dhe fizioterapistëve pa u regjistruar te Urdhri i Infermierit, si dhe arsimimi. Sipas Sabri Skënderit, President i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, "ligji citon qartë se pa u regjistruar më parë te UISH si infermier apo fizioterapist, nuk mund të të jepet e drejta për punësim si i tillë. Por ka shumë institucione private shëndetësore apo klinika private që në kundërshtim me ligjin marrin në punë infermiere pa lejen e UISH-së". Sipas tij, licencimi nga UISH e pajis infermierin me dëshminë e nevojshme se ai është në gjendje të ushtrojë profesionin e tij dhe se nuk ka preçedentë të mëparshëm negativë gjatë ushtrimit të profesionit, të cilët mund ta bëjnë atë të papërshtatshëm për këtë proces etj. Ndërkohë, infermierët e vjetër në punë kanë kërkuar vlerësim të formimeve dhe eksperiencës së tyre profesionale ndër vite, si edhe të eksperiencës së punës së tyre, me kreditet e nevojshme, ashtu siç ndodh në shumë vende të botës. Nga ana tjetër, ata theksojnë se janë dakord me hartimin e programeve part-time për të realizuar ato pjesë programesh të domosdoshme dhe plotësuese për realizimin e një kujdesi infermieror cilësor. UISH është i angazhuar që të zhvillojë në vazhdimësi aktivitete për formimin e vazhdueshëm profesional të infermierëve në të gjithë vendin, me moton që në qendër të të gjithë veprimtarisë së tij të jetë rritja e kujdesit ndaj pacientit, konsideron UISH./s.s./
KOMENTE