Vlorë: Në Dy Muaj, 2400 Vizitorë Të Huaj Dhe Vendas Në Qytetin Antik Të Orikut
VLORË, 1 korrik /ATSH-H.Koçi/ - Gjatë dy muajve të fundit qytetin antik të Orikut, 25 km në jug të Vlorës, e kanë vizituar 2400 persona, kryesisht turistë të huaj, ose dy herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Orikut, Gëzim Llojdia, thotë për ATSH-në se, turistët e huaj, kryesisht nga Çekia dhe Gjermania, kanë ardhur përmes bashkëpunimit me Shoqatën e Turizmit Shqiptar për Vlorën dhe kompleksin "Regina".
"Ky kompleks funksionon përmes kontratave me agjenci turistike të huaja, që sjellin turistë mbi bazën e paketave respektive, ku përfshihet edhe Oriku", thotë Llojdia. Ai tregon se në këtë drejtim, ka ndikuar mjaft edhe lehtësimi i procedurave të hyrjes në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Orikut, megjithëse kjo qytezë ndodhet në territorin që administrohet nga baza ushtarake detare e Pashalimanit. Sipas Llojdisë, tashmë nuk ekziston asnjë pengesë për hyrjen e vizitorëve, qofshin këta turistë të huaj dhe vendas.
"Në dy muajt e ardhshëm," thotë ai, "numri pritet të shtohet edhe më tej."
Qyteti antik i Orikut, është shndërruar tashmë në një destinacion për turistët e huaj, që gjejnë këtu vlera që ngjallin kureshtjen e tyre. Historia komplekse që përfaqëson ky qytet i lashtë dhe që lidhet me momente të rëndësishme të antikitetit dhe të periudhës së mesjetës, përbën, sipas Llojdisë, një argument të mjaftueshëm që turistët e huaj, të vijnë e të shohin këtë mjedis.
Historia e zbulimit të këtij qyteti nisi pothuajse 50 vjet më parë, kur në verën e vitit 1958, një ekspeditë e përbashkët shqiptaro-ruse nisi gërmimet për të nxjerrë në dritë gjurmët e qytetit të lashtë të Orikut. Akademiku rus Aleksandër Ballavacki dhe dy arkeologët shqiptarë, Dhimosten Budina e Selim Islami, do të shfaqnin në sipërfaqe gjurmët e një historie që shkonte deri në më shumë se 2500 vjet.
Qyteti antik i Orikut përmendet për herë të parë nga historiani grek Skylaksi në shek VI-V para Krishtit në veprën e tij "Lundrimi", ku ai përcaktohet me emrin Jeriko. Nga pikëpamja urbanistike, qyteti i Orikut, ishte i tipit "me akropol në mes".
Oriku u shfrytëzua prej romakëve në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonasve dhe luajti një rol të rëndësishëm në Luftën Civile mes Çezarit e Pompeut.
Flota maqedone e Aleksandrit të Madh, e pushtoi Orikun në vitin 214 para Krishtit, gjë që dëshmohet edhe nga fakti se, Teatri Antik i Orikut, me kapacitet deri në 400 vende, i ndërtuar në shek III-II para Krishtit është identik me atë të Trojës. Ai është përdorur për mbledhje publike, për shfaqje të ndryshme dhe në epokën romake (shek III-I para Krishtit), u shfrytëzua për të organizuar ndeshje me gladiatorë dhe kafshë të egra. 40 metra në jugperëndim të Teatrit, ndodhet Altari, ku flijoheshin kafshë të ndryshme për nder të perëndive. Në faqen lindore të Akropolit zbresin dy palë shkallë të gdhendura në trupin shkëmbor të kodrës, me gjerësi 2.5 metra, që kufizojnë ambiente godinash publike, të skalitura thellë në gurë. Gjithashtu, në hapësirën e qytetit janë zbuluar edhe pesë puse me thellësi deri në 20-23 metra, që shfrytëzoheshin për ujë të pijshëm në ato raste kur ujësjellësi binte në duart e armikut. Mes tyre përfshihet edhe Pusi i Shenjtë, një nga objektet më të rëndësishme të Parkut Kombëtar Arkeologjik të Orikut, ndërtimi i të cilit daton në shekullin V para Krishtit. Pjesa më e madhe e gjurmëve të këtij qyteti, ndodhen nën tokë dhe nën sipërfaqen e ujërave të lagunës që gjendet shumë pranë.
Qyteti antik i Orikut, si pjesë e Parkut Kombëtar Arkeologjik Amantia-Orikum, vlerësohet si një objekt me vlera në funksion të zhvillimit të turizmit. Në janar të vitit 2006, qyteti antik i Orikut, u shpall Park Arkeologjik Kombëtar./ch/