100 Kursantë Nisin Më 5 Korrik Shkollën Bazë Të Policisë Për Patrullë Të Përgjithshme
TIRANË, 2 Korrik/ATSH/ - Të paktën 100 kursantë do të nisin në 5 korrik Shkollën Bazë të Policisë për Patrullë të Përgjithshme, njoftoi sot Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
Sipas të njëjtit burim, kursantët u përzgjodhën nga lista e konkurrentëve të shpallur fitues me datë 27 maj 2009, bazuar në pikët e grumbulluara gjatë fazave të konkurrimit dhe pas procesit të kontrollit mjekësor, si dhe procesit të verifikimit të të dhënave të kandidatit.
Kandidatët, që do të paraqiten në datën 5 korrik në Qendrën e Formimit Policor për të filluar studimet në Shkollën e Policisë për Patrullë të Përgjithshme, vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit. Ky është grupi i dytë i konkurrentëve, të shpallur fitues më datë 27 maj 2009, që po ndjek Shkollën Bazë të Policisë.
Ndërkohë, grupi i parë prej 50 konkurrentësh, ka përfunduar procesin teorik të Shkollës Bazë të Policisë dhe tashmë po vazhdon procesin e trajnimit në terren. /e.ç/