"2 Korrik 1990", Në Një Dokumentar Të Gazetarit Blendi Fevziu
- Berisha: Kjo ngjarje shkëlqen dhe do të shkëlqejë gjithnjë e më shumë në historikun e demokracisë shqiptare -
TIRANE, 2 Korrik/ATSH/- "2 Korrik 1990", një dokumentar i realizuar nga gazetari Blendi Fevziu, është shfaqur të premten në mbrëmje në kinema "Millenium", duke përmbyllur serinë e aktiviteteve të ditës së sotme në përkujtim të kësaj date, kur mijëra të qytetarë shqiptarë vërshuan në ambasadat perendimore në Tiranë, duke i dhënë goditjen e parë regjimit komunist që e kishte izoluar vendin për gati 50 vite me radhë.
"Është dokumenti më i arrirë, më i plotë i zhvillimeve të fundit të qershorit dhe korrikut '90, të cilat shënuan përballjen e të rinjve shqiptarë me regjimin dhe shembjen e "Murit të Berlinit" në Tiranë. Në këtë kontekst, përbën fillimin e atyre ndryshimeve të mëdha, që do të sillnin më pas përmbysjen e diktaturës më të egër komuniste në Evropë, diktaturës hoxhiste", tha Kryeministri Sali Berisha në përfundim të shfaqjes së këtij dokumentari, që u ndoq nga personalitete të politikës, kulturës, gazetarë, etj.
Sipas zyrës së shtypit të qeverisë, Kryeministri Berisha përgëzoi gazetarin Fevziu dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij dokumenti të shkëlqyer.
Kjo ngjarje, vlerësoi Kryeministri Berisha, shkëlqen dhe do të shkëlqejë gjithnjë e më shumë në historikun e demokracisë shqiptare. "Pas 20 vitesh është e vështirë të imagjinohet se cila ka qenë kurajoja e atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, por ne që jemi dëshmitarë të asaj kohe, mund të themi se ajo ka qenë një kurajë dhe guxim i jashtëzakonshëm, ata qenë guximtarët më të mëdhenj të kombit në atë vit", u shpreh Kryeministri Berisha.
Në 2 korrik të vitit 1990, mijëra shqiptarë hynë në territorin e ambasadave të huaja që funksiononin në atë kohë në Shqipëri në kërkim të lirisë së munguar prej 5 dekadash. Kjo ngjarje është konsideruar si rënia e "Murit të Berlinit" në Tiranë, që më pas do të sillte dhe zhvillime të tjera për të kulmuar në dhjetor të vitit 1990 me lëvizjen studentore, lejimin e pluralizmit e krijimin e Partisë Demokratike në Shqipëri.
20 vjetori i hapjes së ambasadave është kujtuar me një seri aktivitesh që nisën dje në mbrëmje me një miting në "Qytetin Studenti", për të vijuar gjatë ditës së sotme me një vizitë në familjen e 17 vjeçarit Artin Basha, i vrarë nga sigurimi i shtetit komunist teksa tentonte të kalonte murin e ambasadës gjermane, dhe me një ekspozitë me imazhe nga momentet e asaj periudhe.
Aktivitetet për zhvillimet që sollën ndryshimet në Shqipëri 20 vjet më parë do të vazhdojnë dhe në muajt në vijim, nën kujdesin e Kryeministrit Berisha /s.s./