"Alegreto Albania" Merr Cmimin E Kritikës Në Bienalen E Teatrit Në Gjermani
TIRANË, 2 Korrik/ATSH- Suada Daci/- Komedia "Alegretto Albania" me regji të Altin Basha dhe autor Stefan Çapalikun u paraqit me sukses në Bienalen e Teatrit Ndërkombëtare të Teatrit "New plays from Europe", në Wiesbaden (Gjermani) në datat 22-23 qershor.
"Alegretto Albania" sjell një tematikë të prekshme të realitetit shqiptar dhe tregon historinë e një familjeje të ngujuar për arsye gjakmarrjeje, ku situatat ndodhin pikërisht në kulmin e stinës koncertore "Alegretto Albania".
Në "Alegreto Albania", fituese e çmimit të parë në konkursin kombëtar të dramaturgjisë 2007, interpretojnë aktorët Mirush Kabashi, Olta Dako, Gazmend Paja, Xheni Faja, Vasjan Lami, etj.
Në një prononcim për ATSH-në autori i dramës Stefan Çapaliku, tregon pjesëmarrjen në këtë festival të rëndësishëm mbi teatrin, ndërsa pohon se çmimi i kritikës nuk i takon vetëm atyre që arritën në vinin në skenë këtë vepër, por ajo mbarë teatrit shqiptar.
"Ky është një eveniment unikal në të gjithë botën sa i takon kompeticionit të dramaturgjisë. Për mua si dramaturg ishte shumë e rëndësishme pjesëmarrja, ndërsa çmimi i kritikës ishte një surprizë për të gjithë ne", shprehet Capaliku.
Entuziast, ai thotë se,"është një çmim që nuk na takon vetëm ne, por i takon të gjithë botës teatrore shqiptare".
Bashkëpunimin me regjisorin Altin Basha, e quan "shumë të mirë dhe të frytshëm".
"Bashkëpunimi ynë në fushën teatrore do të vijojë sepse po mendojmë që të kemi një bashkëpunim të ngjashëm dhe ende jemi në momentet e para të këtij bashkëpunimi", tha Çapaliku.
Bienalja e teatrit "New plays from Europe" është themeluar nga Manfred Belhartz dhe Tankerd Dorst më 1992 në Bon dhe është festivali më i madh dhe më i rëndësishëm lidhur me kompeticionin dhe paraqitjes së dramaturgjisë bashkëkohore.
Ky ishte edicioni i 10 dhe është hera e parë që një produksion nga Shqipëria merr pjesë./n.m/