Tiranë, 2 Korrik, NOA – Në vazhdim të aktiviteteve që po zhvillohen në Tiranë në përkujtim të ngjarjeve të 2 korrikut 1990, kryeministri Berisha vizitoi ekspozitën me fotografi dhe dokumente, dëshmi e kësaj ngjarje të rëndësishme në historinë e Shqipërisë.
Kështu, ekspozita, e çelur nën kujdesin e Kryeministrit Berisha dhe e përgatitur nga Universiteti Europian i Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, risjell në kujtesën e çdo shqiptari, përmes fotografive dhe pamjeve filmime, dokumenteve të ndryshme dhe raportimeve të strukturave të regjimit të kohës, 2 korrikun e vitit ’90, kur mijëra qytetarë shqiptarë kapërcyen muret e ambasadave të huaja, të akredituara në Tiranë, në kërkim të lirisë. Kjo ekspozitë do të paraqitet edhe në universitete dhe mjedise të tjera.
Kryeministri Berisha, duke përshëndetur çeljen e kësaj ekspozite, u shpreh se “sot është një ditë e madhe, një ditë e shënuar në përpjekjen e shqiptarëve për liri dhe dinjitet njerëzor. 2 korriku shënon rënien e murit të Berlinit në Tiranë, rënien e murin të Berlinit në diktaturën më të egër që Europa ka njohur në historinë e saj”.
Sipas tij, Në këtë vend, në një kohë kur qytetarët gjermanë çmontonin murin e Berlinit dhe vende të tjera me radhë ecnin drejt zgjedhjeve të lira, në sheshet e Shqipërisë ekzekutoheshin dhe vareshin disidentë.
“Këta të rinj, të cilët në tërësi, në aspektin shoqëror ishin anonimë, ishin djem e vajza të thjeshtë që punonin në punishtet, uzinat dhe fabrikat e vendit dhe ndër ta, të paktë intelektualë të skajuar, ishin të profesioneve të ndryshme, të nivelit të ndryshëm arsimor, por të gjithë ata ishin vëllezër e motra në një guxim të pashembullt. Ata u ngritën me një heroizëm dhe trimëri, e cila zgjoi një popull të tërë, por mesazhi i tyre pati një jehonë të gjerë europiane dhe botërore”, tha më tej në fjalën e tij kryeministri.
Duke kërkuar në fund, edhe një herë nderim të madh për “guximtarët, trimat e 2 korrikut, familjet e tyre dhe të gjithë ata që bënë të mundur këtë datë të madhe, këtë ngjarje të madhe në historinë tonë kombëtare”.
n.e/NOA