Berisha: Vrasja E Artin Bashës Në Muret E Ambasadave Në '90, Akt Kriminal Dhe I Shëmtuar
TIRANË, 2 Korrik/ATSH Maela Marini/.- Në jubileun e 20-vjetorit të ngjarjeve të ambasadave, Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot familjen e të riut Artin Basha, i cili u vra nga policia dhe sigurimi i shtetit, në përpjekje për të hyrë në territorin e ambasadave të huaja në Tiranë.
Kryeministri nderoi sakrificën e tij sublime dhe guximin e djemve dhe vajzave të 2 korrikut të vitit '90.
"Erdha këtu për të shprehur nderimin tim më të thellë për të riun Artin Basha, i cili 20 vjet më parë ra për t'u bërë i pavdekshëm nga plumbat e policisë dhe sigurimit të shtetit, në përpjekje për t'u bërë i lirë. Në një kohë terrori dhe shtypje mizore, Artini mori vendimin më të guximshëm, të luftojë për lirinë e tij", tha Kryeministri Berisha.
Duke e konsideruar vrasjen e Bashës në muret e ambasadave " një akt kriminal dhe i shëmtuar", Berisha tha se "Po kaq e shëmtuar ishte edhe përpjekja e diktatorit Ramiz Alia për të fajësuar për vdekjen e tij ambasadën gjermane, që në të vërtetë e dërgoi Artinin në spital që në minutat e para pas plagosjes".
2 korriku, sipas Kryeministrit Berisha, "është një ditë e madhe në histori, pasi njerëz të thjeshtë e familjarë u dëshmuan se pavarësisht nga ky anonimat, ata përbënin guximtarët e kombit. Pavarësisht nga moshat dhe profesionet e tyre, ata me guxim dhe trimëri hapën për shqiptarët rrugën e lirisë".
Artin Basha ishte vetëm 17 vjeç kur në përpjekje për t'u futur në mjediset e ambasadës gjermane në Tiranë, u qëllua me armë zjarri nga forcat e policisë dhe sigurimit të shtetit. Ai u shpall "Dëshmor i Atdheut" nga Këshilli Bashkiak i Tiranës./n.m/