English

Dhimbja, Ndër Problemet Kryesore Shëndetësore Në Botë

TIRANË, 2 Korrrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Dhimbja është një nga problemet kryesore shëndetësore në botë, ndërkohë që rreth 15 % e njerëzve që ankohen prej një smëundje të caktuar nëpërmjet dhimbjes shprehet me dhimbje neuropatike. "Dhimbja neuropatike është po aq shqetësuese për Shqipërinë sa dhe për të gjithë botën. Ajo është një nga problemet kryesore madhore të shërbimit shëndetësor në përgjithësi dhe kirurgjisë, shërbimit të traumës, ortopedisë dhe kirurgjisë vazale në veçanti", tha dr. Apostol Vaso, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Dhimbjes. Nderkohe, i pranishëm në Simpoziumin Shkencor Ndërkombëtar "Mekanizmat që fshihen pas dhimbjes neuropatike dhe dhimbjes fantomë", mbajtur në Hotel Tirana International, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se "studimet e ndryshme kanë vënë në dukje se rreth 50 % e të rriturve gjatë jetës së tyre kanë vuajtuar nga tipe të ndryshme dhimbjesh". Për një pjesë të mirë të individëve të përfshirë në studim, sipas tij, dhimbja ishte si kronike ashtu dhe e fortë, me rritje të dukshme të incidencës në moshat më të avancuara. "Kontrolli i dhimbjes kronike është një fushë e re sa i përket programeve dhe prioritetit të shërbimit tonë shëndetësor, megjithëse ekzsitojnë shumë burime dhe metoda me kosto shumë efektive për trajtimin e saj", theksoi Vasili. Ai konfirmoi me këtë rast vështrim multidimensional për këtë problem, duke bashkëpunuar me shoqatat, Fakultetin e Mjekësisë, etj, që janë mënyrat e vetme për të rikonsideruar problemin. "Ne do të tentojmë të ketë zgjidhje të tjera dhe në planin e madh shëndetësor, ku disiplinat mjekësore ndihmojnë njëra tjetrën", tha ai. Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, u ndal në dhimbjen e personave të gjymtuar në zonat e minuara. "Qeveria gjermane mbështet Shqipërinë prej shumë vitesh për kalimin me sukses të pasojave të luftës së Kosovës, në mënyrë të veçantë në çmiminim e zonave kufitare", tha ambasadori gjerman. Sipas tij, projekti për këtë qëllim u mbyll vitin e kaluar, ndërkohë që në anën shqiptare të kufirit me Kosovën jetojnë mjaft viktima të këtyre minave dhe në anën kosovare një numër akoma më i madh. "Dhimbjet e njerëzve që kanë humbur pjesë gjymtyrësh si psh, përmes minave të vendosura në tokë, janë një problem i konsiderueshëm biomjekësor ende i pazgjidhur. Lufta në Kosovë në periudhën '98-'99, konfliktet në Afrikë e në Azinë Juglindore, kanë bërë që shumë njerëz të jetojnë me gjymtyrë të amputuara, mes tyre shumë fëmijë, viktima të përdorimit të përhapura të minave anti-njeri", u shpreh Borchardt. Rreth 80 % e të amputuarve, sipas tij, ankohen nga dhimbjet fantomë, të cilat janë problem i madh prej shumë vitesh e që rëndon mbi cilësinë e jetës së tyre dhe mundësinë e punësimit e pavarësisë. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Tritan Shehu, tha se "lufta me dhimbjen është tipar i një shoqërie të zhvilluar jo thjesht në planin ekonomik e politik, por shumë më gjerë, etik, social, arsimor, etj, dhe kjo ka të bëjë me respektin ndaj qenies njerëzore". Ndërsa vuri në dukje proçesin zhvillues social dhe mjekësor të vendit, ai theksoi se "jemi në fillimet e një rruge të gjatë që do të zgjatet së bashku me zhvillimet e përgjithshme në vend dhe që do të jetë dhe pjesë e reformës shëndetësore". Ideja e trajtimit të dhimbjes në ekip, i përbërë nga specialistë të disiplinave të ndryshme, u hodh për herë të parë në vitet e Luftës së II-të Botërore. Ndërkohë, gjatë viteve '50, u hap klinika e parë e dhimbjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e më pas u hap dhe në Europë. Periudha 2001-2011 është shpallur si Dekada e eshtrave dhe kyçeve. /a.ke/
KOMENTE