English

Ekstradohet nga Madridi i dënuari me 6 vjet burg, grabiti me armë pasagjerët

Tiranë, 2 Korrik, NOA – I maskuar dhe i armatosur, së bashku me disa persona të tjerë, në vitin e largët 1998, ai grabiti pasagjerë të rastit në vendin e quajtur “kanali me kama”, në të dalë të Elbasanit, vepër për të cilën do të dënohej me 6 vjet burg.

Kjo është ngjarja që i rëndon në supe 29-vjeçarit Mandi Baha, lindur në Xibrakë të Elbasanit, prej mëse 12 vitesh, për të cilën ai sot është dorëzuar nga autoritetet spanjolle drejt atyre shqiptare për të vuajtur dënimin e caktuar.

Lajmi bëhet me dijeni nga burimet policore të Tiranës për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, i lartpërmenduri është ekstraduar sot nga Interpoli i Tiranës prej homologëve të tij të Madridit në Spanjë.

Ato konfirmojnë ndër të tjera faktin se ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi gjykata e Durrësit, me një vendim të vitit 1999, e ka dënuar me 6 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim“, parashikuar nga nenet 140-25 dhe 51, të Kodit Penal.

E si rezultat i bashkëpunimit të zyrës së “Interpol Tirana” me “Interpol Madrid”, më datën 16.02.2009, u bë i mundur arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Ndërkaq, ditën e sotme 29-vjeçari Mandi Baha u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në aeroportin nga autoritetet spanjolle të drejtësisë.

n.e/NOA

KOMENTE