English

Fishë Teknike- Masa E Rritjes Së Pensioneve Sipas Kategorive Përkatëse

TIRANË, 2 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Këshilli i Ministrave miratoi dy ditë më parë vendimin për rritjen e pensioneve mujore për 520 mijë qytetarë shqiptarë dhe përkatësisht në masën 6 për qind për pensionet e ulëta në qytet, 10 për qind për pensionet në fshat dhe 4 për qind për pensionet e larta dhe ato suplementare. Pas rritjes së pensioneve dhe zbatimit të kompensimeve përkatëse, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të pleqërisë në qytet nuk mund të jenë më të vogla se 12 840 lekë në muaj, ndërsa të ardhurat minimale nga pensionet e plota në fshat nuk mund të jenë më pak se 7 870 lekë në muaj. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përllogariten në shumën 1.912 milionë lekë dhe përballohen nga fondi i kontigjencës, i caktuar në buxhetin e shtetit të vitit 2010, për rritjen e pensioneve. Ndërsa shpenzimet për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, përllogariten në shumën 14 milionë lekë dhe përballohen nga fondi i kontigjencës. Më poshtë vijojnë të dhënat e detajuara të rritjes sipas të gjitha kategorive të pensioneve: - Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit ishin 21052 lekë dhe bëhen 21880 lekë - Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit ishin 7234 lekë dhe bëhen 7870 lekë - Të ardhurat e pensionit maksimal të fshatit ishin 10690 lekë dhe bëhen 10890 lekë Pensionet që rriten me 4 % Rritje 4% të pensionit përfitojnë 114.240 pensionistë, nga këta 89.600 pensione për pleqëri urbane dhe 24.640 për (programe speciale ushtarake, minatorë, punonjës të ish-industrisë ushtarake, pilotë, detarë). Në masën 4% do të rriten pensionet e plota, të pjesshme dhe të parakohshme të pleqërisë, pensionet për merita të veçanta dhe për vjetërsi shërbimi. Po në këtë masë rriten pensionet e posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore. Në këtë masë rriten edhe pensionet e caktuara me dekretin e Presidentit, "Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut". Pensionet që rriten me 6% Rritje 6% të pensionit përfitojnë 290.400 pensionistë dhe nga këta 193.200 për pleqëri urbane, 46.100 invaliditet urban dhe 51.100 familjarë urbanë. Me masën 6% do të rriten pensionet e plota, të pjesshme dhe të reduktuara të invaliditetit, të invaliditetit nga aksidente në punë dhe sëmundje profesionale dhe të pensioneve familjare. Pensionet që rriten me 10 % Rritje 10 % e pensionit është për 160.000 pensionistë të fshatit. Këtë rritje e përfitojnë edhe pensionet të cilat caktohen nga data 1 korrik 2010 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit apo trajtimit, të jetë nga 30 qershor 2010, përfshirë edhe këtë datë./n.m/
KOMENTE