English

Gjykata: Dëshmitarë Të Tjerë Për Çështjen "Gërdeci"

TIRANË, 18 Qershor/ATSH/ - Andi Myrte/ -Në Gjykatën e Tiranës vijuan edhe sot dëshmitë për çështjen "Gërdeci", e cila numëron 29 të pandehur, në pjesën më të madhe, ish- drejtues të lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë. Në seancën e zhvilluar sot, Elmaz Leci, ish -drejtor i Kabinetit të ministrit të at'hershëm të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dëshmoi mbi një korespondencë që kishte patur ministria dhe kompania MEICO lidhur me procesin e demontimit të municioneve luftarake. Dëshmitari konfirmoi se kompania Meico i kishte përcjellë ministrisë një memo (shkresë), ku jepte propozimet e saj për procesin e demontimit të municioneve lufatarake. "Po jam në dijeni të kësaj memoje", tha dëshmitari duke i'u përgjigjur pyetjes së përfaqësuesit të prokurorisë. "Memo ishte përgatitur nga ndërrmarja shteterore tregëtare MEICO". Më tej seanca vazhdoi me dëshmitarin Ylli Bregu, ish-punonjës në Zyrën e Finacës në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili dëshmoi kryesisht rreth praktikës të ndjekur për caktimin e çmimit të municioneve luftarake që do të shkonin për demontim. Sikurse pohoi dëshmitari, "komisionit të ngritur ne Ministrine e Mbrojtjes iu kerkua nga kompania MEICO shitja e municioneve me cmime më të ulëta nga ato të mëparëshmet në procese të ngjajshme. Por kerkesa nuk u morr parasysh, pasi MEICO nuk kishte bërë shpjegimet e duhura", pohoi deshmitari. Nëpërmjet ketyre dëshmive, si dhe shumë të tjerave të bëra më parë dhe që pritet të bëhen, prokuroria kërkon që të hedhë dritë mbi praktikat e paregullta apo shkeljet që, sipas saj, janë bërë me këtë çështje. Një seancë më parë, ish- Shefi i sektorit të armatimit pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Sokrat Papadhima, deshmoi se, për ngritjen e fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, nuk ishte marrë mendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Sipas tij, "Shtabi i Përgjithshëm ishte anashkaluar nga Ministria e Mbrojtjes". Ndërkohë zgjedhja e fshatit Gërdec të Tiranës për ngritjen e kësaj fabrike, pretendohet nga prokuroria si një zgjedhje e papërshtatëshme, pasi nuk plotësonte kriteret për këto fabrika, për më tepër, në një zonë të populluar. Të pandehurit në këtë proces akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, kur, si pasojë e një shpërthimi, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur si dhe pati dëme të shumta materiale. Cështja Gerdeci, konsiderohet nga më të mëdhatë në historinë e jurispudences shqiptare në këto vitet e fundit jo vetëm për nga numri i madh i të pandehurve të saj por edhe i dëshmitarëve, mbi 300 veta. /n.m/
KOMENTE