English

Grabitjet me armë, ekstradohet nga Spanja një i ri nga Elbasani

Tiranë, 2 korrik 2010 NOA –Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në orët e para të ditës së sotme u krye ekstradimi nga Madrid, Spanjë drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Mandi Baha, vjeç 29, lindur në Xibrakë, Elbasan.

I riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr. 135, datë 06.07.1999, e ka dënuar me 6 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 140-25 dhe 51, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Burime zyrtare policore treguan për agjencinë NOA, duke iu referuar të dhënave të dosjes, se Mandi BAHA, së bashku me disa shtetas të tjerë, më datë 21.07.1998, të maskuar dhe të armatosur, kanë grabitur pasagjerë të rastit, në vendin e quajtur “kanali me kama”, në të dalë të Elbasanit.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Madrid më datën 16.02.2009, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i të kërkuarit Mandi Baha.

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas i ekstraduari i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, konfirmoi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

r.n/NOA

KOMENTE