English

Hetimi i Tivarit, apo shfajësimi i serbëve

Komision Parlamentar për të pafajësuar Serbinë dhe Malin e Zi nga masakra e Tivarit

Nga Av. Idajet Beqiri* Shumë ngjarje të dyshimta kanë ndodhur në këtë vend këto afro 20 vjet pluralizëm. Shumë “koiçidenca” të tmerrshme, të cilat vërtetë janë shokuese kur i mendon thellë.

Gjithkush që ka një intelekt normal, që ka një vetëdije kombëtare, që i thotë vetes shqiptar e që nuk ështe bukëshkalur i atdheut të vet ka pyetur dhe vazhdon të pyes:

Pse vallë pikërisht në ditët e stuhishme të vitit 1981, kur e gjithë bota po e drejtonte vëmendjen nga Kosova, djemtë dhe vajzat e së cilës po përshkallëzonte një revolucion të vërtetë, paralajmërues për ndryshime të mëdha dhe për prishjen e ish-Jugosllavisë dhe ndarjes së saj nga Serbia, në Shqipëri, në majën e kupolës komuniste që udhëhiqte vendin, u ndez ajo luftë e brendshme e pakuptimtë, e cila passolli vrasjen (apo vetëvrasjen) e ish-Kryeministrit Mehmet Shehu? Ata që kanë qënë bashkëkohës të atyre situatave janë në dijeni të qëndrimeve, të deklarimeve dhe të përgatitjeve serioze që bënte qeveria shqiptare, posaçërisht Mehmet Shehu, i njohur për atdhetarinë e tij, për trimëritë e tij, për largpamësinë e tij dhe për guximin e tij, për ta ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj dhe për ta bërë atë pjesë të Shqipërisë, siç ka qenë, edhe me ndërhyrje ushtarake.

Pse vallë, dhe kush vallë i nxiti dhe i futi mbi 5000 shqiptarë të Shqipërisë nëpër ambasadat e huaja në Tiranë, pikërisht ditën kur deputetët e Kosovës u shkëputën nga Kuvendi i Serbisë dhe miratuan deklaratën për shpalljen e Kosovës Republikë? Kush ishte i interesuar në atë kohë që të sfumohesh kjo ngjarje, dhe sytë e botës, në vend që të nguleshin në Prishtinë, u ngulën në Tiranë?!

Pse vallë, me ndihmën e kujt dhe për interes të kujt u bë ajo zullumahi në vitin 1998 me grushtështetin primitiv në Tiranë, pas vrasjes së qëllimshme politike të Azem Hajdarit, kur në Kosovë po dëgjoheshin pushkët e UÇK-së? Kush ishte i interesuar që në vend të këtyre pushkëve, që zbrazeshin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të dëgjoheshin kallashnikovët dhe tanket e Tiranës, të cilat ju drejtuan institucioneve të shtetit duke e bërë këtë vend më barbarin dhe më qesharakun e botës?!

Pse vallë, me porosi të kujt, dhe në interes të kujt, mijëra e mijëra burra, djem dhe vajza të Kosovës, të cilët u rreshtuan në radhët e UÇK-së dhe filluan luftën e madhe të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, nga krerët më të lartë të opozitës së atëhershme, por dhe të pozitës, në vend që të përkraheshin, të ndihmoheshin dhe t’u thuhej me zë të lartë, sa ta dëgjonte e gjithë bota “U lumtë, trimat e Adem Jasharit”, u anatemuan duke u etiketuar si “terroristë”, “kriminel të nxitur nga UDB-ja”, “puthadorë të Beogradit” etj, etj?!

Pse vallë, dhe nga kush vallë e marrin frymëzimin pushtetarët tanë, dhe politika jonë zyrtare, që sa herë kanë probleme të brendshme, ose me ndërkombëtarët Serbia, Mali i Zi dhe Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, këtu, në Shqipëri do të nisë domosdo një luftë e paprinciptë politike, e më gjerë se kaq, konfliktuale nën moton “shqiptarët kundër shqiptarëve”?!

Në datën 16 qershor 2010 deputeti i Ulqinit në Parlamentin e Malit të Zi, Mehmet Bardhi, në seancën plenare të Kuvendit të Malit të Zi me rendë dite: Pyetje për Kryeministrin, i drejtoi këtë pyetje Milo Gjukanoviçit:

“Zoti Kryeministër! Meqenëse krimet nuk vjetrohen, ju bëjë pyetjen që vijon:

A kanë ndërmend organet zyrtare të shtetit të Malit të Zi që të nisin hetimin dhe të zbardhin rastin e MASAKRËS SË TIVARIT, holokaustin e vërtetë në këto treva, të cilin e kreu më 1 prill 1945, në Tivar, Breg të Tivarit, në ndërtesën e Monopolit të Duhanit, në oborrin e tij dhe në rrugën afër mureve të oborrit, në mënyrën më barbare dhe më tërbuese shoviniste që njohu historia, vetëm brenda disa minutave, dhe në një sipërfaqe prej rreth dhjetë ari vend, ushtria serbo-malazeze, kur masakroi, me armë zjarri e armë të ftohta rreth 3770 shqiptarë duarthatë, të paarmatosur, të eskalionit të dytë, të mobilizuar posaçërisht për nevoja të Armatës Antifashiste të Jugosllavisë?”

Ata i mobilizuan nga të gjitha anët e Kosovës dhe u grumbulluan në Prizren, dhe nga fundi i marsit 1945 afro 7700 rekrutë shqiptarë, të grupuar në tre eskalione, pasi ju morën armët në Prizren, përshkruan rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-(Anë e Malit)-Tivar, me qëllim që t’i transportonin për Dubrovnik, Trogir e Istër në frontin e Trieshtës. Ngjarja tregoi se qëllimi i vërtetë ishte krejtësisht tjetër, likuidimi i tyre. Faji dhe përgjegjësit të personalizohen e të gjykohen. Drejtësia këtë e kërkon. Edha ata që shpëtuan e që janë gjallë, po edhe familjarët e të gjallëve e të vdekurve, kërkojnë që t’i shohin para drejtësisë e të bëhen zyrtarisht të njohur përgjegjësit, ekzekutuesit e sidomos urdhërdhënësit. Prandaj kërkojmë që të hapet procesi, të hetohet dhe të zbardhet ngjarja. Më së miri është që organet kompetente të Malit të Zi ta bëjnë këtë.

Raportet për këtë masakër kanë mbërritur edhe në OKB. Të personalizohen faji dhe fajtorët. Ata duhen gjykuar e dënuar qoftë edhe pas vdekjes. E drejta këtë e kërkon. Dihen eskalionet, dihen emrat e komandantëve, dihen formacionet përcjellëse dhe komandantët e tyre, dihen ata që e urdhëruan dhe e lejuan këtë masakër, si dhe maltretimet e vrasjet gjatë rrugës për në Tivar. Janë dokumentet e shkruara. Janë dëshmitë e dhëna e të shkruara të shumë të mbijetuarve, janë dokumentet dhe raportet e shkruara ushtarake. Pres përgjigje, në formë të shkruar. Faleminderit.”

Politika zyrtare e Shqipërisë, së paku qysh në vitin 1955, jo vetëm që e ka denoncuar këtë masakër të kryer nga autoritetet e larta ushtarake serbo-malazeze të kohës, në zbatim të planit famëkeq të Çubrolloviçit për t’i shuar nga faqja e dheut të gjithë shqiptarët, por ka theksuar se ishin 1000 të vrarëve shqiptarë nga Kosova vetëm gjatë udhëtimit nëpër territorin e Shqipërisë. E madje udhëheqja e atëhershme e shtetit shqiptar ndërmori edhe hapa konkrete për ta denoncuar e dënuar këtë masakër në Gjykatën Ndërkombëtare, por u pengua nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Historiografia e Shqipërisë, e Kosovës, e madje edhe historian objektiv malazes e serbë, të mbështetur edhe në raportet ushtarake të aleatëve anglo-amerikan, kanë bërë përgjegjëse politikën zyrtare serbo-malazeze, për ndodhinë e kësaj masakre, nga më çnjerëzoret, e në të njëjtën linjë me holokaustin kundër çifutëve.

Pikërisht ditën kur deputeti i Ulqinit Mehmet Bardhi “e ngec topin në fushën e Malit të Zi”, duke i drejtuar një pyetje-akuzë Kryeministrit Milo Gjukanoviç, pikërisht atë ditë Kryeministri ynë kërkon që këtë “top” kaq të rëndë, ta fusë në Shqipërinë e gjorë, e cila gjithçka mund të ketë bërë në këtë jetë, e në këtë botë, por kurrë nuk ka gjenociduar e masakruar ndokënd, kurrë nuk ka bërë ndonjë luftë të padrejtë, kurrë nuk ka pushtuar e sunduar ndonjë popull, ose vend të huaj.

Pikërishtë atë ditë kur pushtetit në Serbi ju drodhën këmbët nga rikujtesa e historisë për këtë masakër të bërë prej tyre ndaj shqiptarëve të Kosovës, e që tashmë kërkojnë të bindin botën se “u qanë zemra për të jetuar përsëri në një shtet me këta shqiptarë”, pikërisht në këtë ditë Kryeministri ynë propozon të ngrihet një Komision Parlamentar për “të hetuar Masakrën e Tivarit”, të cilën, sipas Kryeministrit tonë e paskërka bërë Ramiz Alia!

Këta deputetët e Kuvendit tonë, ky Kryeministri ynë, dhe kjo opozita jonë, e cila veç “kutive”, duhet të hapë sytë edhe të pozicionohet qartë për këto probleme madhore që n’a degjenerojnë padrejtësisht si popull e si komb, janë të Shqipërisë, apo të Serbisë e Malit të Zi?! Në se janë të Shqipërisë, le të ngrenë Komision Parlamentar për lloje-lloje problemesh, madje edhe për të ripenalizuar Ramiz Alinë e gjithkënd tjetër, por të mos bëjnë faje të tilla kombëtar, duke penalizuar padrejtësisht dhe kaq rëndë vendin e vet, shtetin e vet dhe popullin e vet. Të bësh këtë gjë, domethënë të ngresh Komision Parlamentar për të “larë” Serbinë e Malin e Zi nga Masakra e Tivarit, të cilat nuk ka lumë e det që t’i lajë në këtë drejtim, dhe të bësh pis fytyrën kaq të pastër të popullit dhe kombit tënd, nuk është thjeshte dhe vetëm një krim kombëtar, por dhe një krim penal, sepse fshah me dashje autorët e vërtetë të një krimi, e madje shpif dhe denigron rëndë moralin, dinjitetin dhe prestigjin e një kombi me afro 10 milionë shqiptarë në Ballkan.

Ish-Presidenti i SHBA Xhon Kenedi ka lënë një porosi të madhe, që vlen shumë edhe për sa analizojmë: “Armiqtë duhet t’i falni, por kurrë të mos ua harroni emrat…!”

(*) Dërguar nga autori, kryetar i PUK – Partia e Unitetit Kombëtar, pikëpamjet janë personale

KOMENTE