English

Industria e paqes

Rendi dhe mbikëqyrja, rregulli dhe kontrolli, janë vendi ku militarizimi takon industrializimin

Nga Albin Kurti*

Paqja në Kosovë nuk është ndërtim, nuk është diçka që ndërtohet apo që tashmë u ndërtua. Ajo nuk e ka pamjen e ndonjë godine a ngrehine, konstruksionin e ndonjë ure apo hekurudhe. Paqja në Kosovë nuk është paraprirë nga paqe-ndërtimi. Nuk kishte inxhinierë dhe as arkitektë. Paqja nuk u përmbush pak e nga pak për t’u bërë ajo që është. Paqja nuk u vërtetua as siç konfirmohet një tezë fillestare nga përvoja përkundër dyshimit. Nuk ishte analitike dhe as sintetike. Nuk kishte induksion dhe as deduksion. Paqja nuk është shkencë.

Paqja në Kosovë nuk është as krijim, nuk është diçka që krijohet apo që tashmë u krijua. Nuk e ka formën e ndonjë pikture a fotografie, strukturën e ndonjë sonate apo kompozimi. Paqja në Kosovë nuk është paraprirë nga paqe-krijimi. Nuk kishte artistë apo autorë të paqes. Paqja e këtillë të josh ose të neverit, por ajo asnjëherë nuk të step. Nuk e cilëson harmonia ose ritmi i brendshëm, por as mungesa e këtyre. Paqja nuk është art.

Paqja në Kosovë është produkt. Nuk është as ndërtesë dhe as krijim. Nuk është as punim dhe as vepër. Nuk është as shkencë dhe as art. Paqja është industri. Paqja është përsëritje. Ushtria e policia ndërkombëtare si dhe mekanizmat e tjerë të paqes janë fabrikë. Ato nuk e sollën paqen njëherë e përgjithmonë. As njëherë e deri vonë. Paqja nuk ka lindur dhe as nuk jeton. Paqja nuk merr frymë. Paqja nuk është gjallesë. Paqja nuk është paraprirë nga paqe-bërja. Paqja është paqe-bërje e përhershme. Për çdo ditë kemi paqe sepse për çdo ditë prodhohet ajo. Paqja është përsëritje e llojit të produktit serik në shiritin gjithmonë të njëjtë, gjithmonë të lëvizshëm. Punëtorët ndërrohen me turne, por shiriti është aty. Ajo është e njëjta që nxjerr produktin e njëjtë. Është e përbashkëta e ditëve të njëpasnjëshme. Ajo është dita dhe nata, secila ditë dhe natë. Kurrë nuk kryhet ngase kurrë nuk bëhet një herë e mirë. Ajo ekziston për t’u përsëritur. Përsëritje si përsëritje-për-vete. Vazhdimisht bëhet që kurrë të mos bëhet. Përsëritje e pambarim që e zhduk fillimin dhe fundin. E harron fillimin dhe s’e shpreson më fundin.

Billboard-at dhe videoclip-et e KFOR-it janë reklamë e paqes si produkt i KFOR-it. Kompanitë e ndryshme reklamojnë produktet e tyre që i prodhojnë për t’i shitur. KFOR-i e reklamon paqen të cilën e prodhon për të na e shitur. KFOR-i nuk e solli paqen me vete, por e bëri këtu. Dhe, nuk e bëri në qershor të vitit 1999, por secilën ditë të secilit muaj të secilit vit që prej atëherë. Një ditë më shumë është një ditë më shumë me paqe, është edhe një ditë paqësore. Meqë ky produkt i nevojitet çdonjërit për çdo ditë, kemi prodhim të mekanizuar dhe masiv të paqes. Masoviteti i produktit e kushtëzon të qenit e tij si produkt industrial. Produktiviteti i lartë i industrisë e ka zhvendosur paqen nga zejtaria te industria. Vetë njerëzit janë lënda e parë, përpunimi dhe produkti, si tri faza të të njëjtit njeri, të secilit njeri. Njeriu është lënda e parë që përpunohet për t’u bërë produkt. Vetëm mund të blesh. Mund ta blesh vetëm veten. Të jesh duke rimarrë atë që është bërë prej teje. Sepse procesi i prodhimit asimilohet në produkt. S’e gjen dot lëndën e parë dhe as përpunimin në produkt. S’ka gjurmë në produkt. Produkti është krim i përsosur. Ne nuk e dimë njeriun. Njeriu paqësor është paqja pa njeriun.

Për prodhimin e paqes punojnë mijëra punëtorë nëpër uzinat e shumta të fabrikës. Industria nënkupton anonimitetin e punëtorëve, masën e gjerë të tyre, që i sillen rrotull makinerisë për t’u bërë zgjatim i saj. Sikurse te çdo industri, edhe këtu, secili repart kontribuon në prodhimin e pjesëve të ndryshme dhe të caktuara të produktit, të cilat pastaj montohen; rutinat e veçanta sinkronizohen dhe zënë etapa të posaçme në linjën e prodhimit. Gjithçka tashmë është programuar: alokimi i detyrave, standardizimi i procedurave, planifikimi i hollësishëm, nënndarjet e punëve, dhe menaxhmenti i disiplinuar që disiplinon. Nëse dikur industria kopjonte nga ushtria tani është ushtria ajo që e imiton industrinë. Rendi dhe mbikëqyrja, rregulli dhe kontrolli, janë vendi ku militarizimi takon industrializmin.

Mijëra ushtarë e policë janë mijëra punëtorët e fabrikës së paqes. Sa më e sofistikuar makineria, aq më i vogël numri i nevojshëm i punëtorëve që vazhdimisht zvogëlohet. Racionalizimi i zbulon tepricat teknologjike për t’i eliminuar ato. Zyrtarët e ICO-së dhe EULEX-it janë burokracia dhe administrata e kësaj fabrike që përbëhet prej ushtarëve e policëve që prodhojnë paqen.

Paqja e këtillë shitet si produkt themelor. Mirëpo, kur paqja është fjala kryesore, atëherë lufta është mendimi kryesor. Jo lufta që tashmë mbaroi prej më shumë se dhjetë vjetësh pas së cilës kemi paqen, por lufta në kuptimin e mundësisë së përsëritjes së saj. Dhe, gjersa lufta mund të përsëritet një ditë, për çdo ditë prodhohet paqja. Kjo paqe nuk ndodhet përkundruall luftës së fundit, por kundrejt luftës së ardhshme. Edhe një ditë më shumë me paqe është edhe një ditë më tej pa luftë. Nuk është lufta përjashtim a devijim nga paqja, por paqja na shfaqet si pauzë e luftës që duhet zgjatur. Misionet ndërkombëtare paqebërëse në Kosovë nuk janë misione të pasluftës (së fundit) por të paraluftës (së ardhshme). Prandaj ato brengosen se si mund të bëhet (sërish) keq, e jo se si mund të bëhet mirë në Kosovë; shqetësohen se çka mund të humbet, e jo çka mund të fitohet; kanë hall shpërthimin e krizës në të ardhmen dhe parandalimin e këtij shpërthimi, e jo shkaqet e krizës nga e kaluara dhe eliminimin e tyre. Prandaj shprehjet e regjimit në fuqi janë stabiliteti, qetësia dhe siguria, e jo demokracia, drejtësia dhe zhvillimi. Prandaj kjo paqe (gjithnjë në bërje e sipër) është kaq e militarizuar dhe e pashkëputshme nga lufta (si mundësi). Kjo paqe bëhet vetëm që të mos bëhet luftë. Kjo paqe prodhohet që ta shtyjë luftën. Ajo, në fakt, e pohon atë që e mohon.

Paqja sot e ka kuptimin e punëtorit të heshtur pranë zhurmës ritmike të rotorit të makinës që ky i shërben. Paqja në Kosovë nuk është as shkencë dhe as art. Paqja në Kosovë është industri. Paqja nuk ta sjell ndërmend Arkimedin, Newtonin, Lavoisierin, Darwinin, Riemannin apo Heisenbergun. Paqja nuk ta sjell ndërmend as Michelangelon, Shakespearein, Cervantesin, Beethovenin, Renoirin apo Ligetin. Ajo ta sjell ndërmend Fordin dhe Taylorin. Politika në Kosovë dhe për Kosovën është industri e paqes. Fabrikë që s’prodhon asgjë për njerëzit përveç vetë realitetin e tyre që ata e përbëjnë dhe përbëhen prej tij. S’ka më industri në realitet sepse realiteti është industri.

(*) Dërguar nga autori, lider i Vetëvendosjes

KOMENTE