Kosovë - Komiteti I Sigurisë Në Mitrovicë, Takim Urgjent Për Gjendjen Në Veri
SHTINË, 2 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Komitetit të Sigurisë në Mitrovicë organizoi sot një takim urgjent për të vlerësuar gjendjen e krijuar pas tensionimit të gjendjes në veri të qytetit.
Sipas zyrës së shtypit të komunës, në këtë takim janë dënuar aktet e dhunës, ku si rrjedhojë e protestave të organizuara nga pjesëtarët e komunitetit serb në shenjë kundërshtimi ndaj hapjes së zyrës për regjistrim civil nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës në Lagjen e Boshnjakëve, ka vdekur 1 person dhe janë lënduar 10 qytetarë.
Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës i kanë dënuar veprimet e dhunshme dhe kanë kërkuar nga strukturat e rendit zbardhjen e rastit të shpërthimit që ka ndodhur në mes të protestuesve. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka kërkuar nga autoritetet që të marrin masa për zbardhjen e rastit në mënyrë që mos të lejohen spekulimet e qarqeve të ndryshme, të cilat janë të interesuara që të destabilizohet situata.
I pyetur për ngjarjen që ka ndodhur sot në veri të Mitrovicës, Avni Zaiti nga Policia Rajonale, tha se "në orën 08:15 ishte paralajmëruar përurimi i një zyre të regjistrimit civil të Ministrisë kosovare të Punëve të Brendshme në Lagjen e Boshnjakëve. Pas mbërritjes të personelit i caktuar për të punuar aty, në afërsi janë mbledhur qytetarë të komunitetit serb në shenjë kundërshtimi. Policia krijoi kordon përreth zyrës, ndërsa më vonë rreth orës 09:50 në mesin e protestuesve serbë në afërsi të udhëkryqit të shkollës teknike ndodhi një shpërthim, ku u lënduan 11 persona. Më vonë u konfirmua se një prej të plagosurve ka vdekur", tha ai, duke shtuar se rreth orës 11:00 situata u qetësua.
Zaiti theksoi se një protestë tjetër e pjesëtarëve të komunitetit serb u organizua në orën 14:00 në sheshin "Shumadija" në veri të qytetit, ku u mblodhën rreth 500-600 veta, në shenjë kundërshtimi ndaj hapjes së asaj zyre në Lagjen e Boshnjakëve. Sipas tij, protesta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente.
Ai tha se zyra që është hapur është nën kontroll të pjesëtarëve të stacionit të policisë në veri me mbështetje të atyre nga stacioni jugor.
Ndërsa Behxhet Bala, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, kërkoi nga autoritetet e rendit që të shtojnë masat e sigurisë në lagjet me popullatë të përzier për shkak të përshkallëzimit të situatës. Ai tha se banorët shqiptarë që jetojnë në veri janë të shqetësuar, andaj nevojitet shtim i masave të sigurisë.
Ndërkohë, përfaqësuesit e KFOR-it theksuan se ata janë në gjendje gatishmërie për të ndërhyrë në rast nevoje në mënyrë që të ofrohet siguri për të gjithë qytetarët. /s.s./