English

Kosovë: Pyjet I Mbron Ligji Dhe Komuniteti

FERIZAJ/ KOSOVË, 2 korrik /ATSH-R.Hoxha/ - Përpunimi i lëndës së drurit është një nga bizneset kryesore në komunën e Ferizajt, Kosovë, por pa i dëmtuar masivët pyjorë të zonës. "Mbrojtja e shtimi i pyjeve është një nga prioritetet e punës jo vetëm të strukturave të pushtetit vendor, por kryesisht të komunitetit e speciaslistëve të pyjeve", thotë për ATSH-në, drejtori i Ndërmarrjes së Pylltarisë, Hysni Abazi. Mbrojtja e masiveve të pyjeve nga prerjet e paligjshme në zonën e Ferizajt është rrjedhojë kryesisht e masave të rrepta ndaj çdo rasti të dëmtimit të tyre. "Kush prek një dru në pyll pa lejen tonë, duhet të shlyejë gjobën minimale prej 500 euro dhe maksimale prej 5000 euro. Dhe gjoba është për rastin e parë të identifikuar nga inspektorët tanë se, nëse rasti përsëritet, dëmtuesin e pret vetëm burgu", thotë Abazi. Ndërsa rastet e zjarreve në masivet pyjore janë mjaft të rralla. "Gjatë 40 viteve të fundit në këtë zonë është regjistruar vetëm një rast i rënies së zjarrit në pyje, që edhe pse ka shkaktuar pak dëme ka ngjallur shqetësim. Zjarret në pyje zakonisht vihen nga vetë banorët për arsye të ndryshme e jo nga temperaturat e larta", thotë Abazi. Në Kosovë, ende masivet pyjore nuk janë të privatizuar. Komuna e Ferizajt ka 9 linja të përpunimit të lëndës drusore. /ch/
KOMENTE