English

Kosovë - Sejdiu: 2 Korriku I Vitit 1990, Kulmi I Ndjenjës Së Lirisë

PRISHTINË, 2 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha sot se 2 korriku i vitit 1990 ishte kulmi i artikulimit të ndjenjës së lirisë. Në një ceremoni organizuar në sallën e seancave në Kuvendin e Kosovës, Presidenti Sejdiu u dha deputetëve që shpallën Deklaratën Kushtetuese për Pavarësisë e Kosovës në 2 korrikun e 20 viteve më parë dhe që miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik, dekoratën "Medalja e Artë e Pavarësisë", me të cilën ata i kishte dekoruar Presidenti Ibrahim Rugova më 2 korrik 2004. Për nder të 20 vjetorit të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Presidenti Sejdiu ka marrë pjesë sot në disa aktivitete. Fillimisht ai mori pjesë në simpoziumin shkencor me temë "Deklarata Kushtetuese dhe Kushtetuta e Kaçanikut", ku vuri në dukje se "Deklarata Kushtetuese për pavarësinë e vendit e vitit 1990 dhe Kushtetuta e Kaçanikut, për aq sa e kanë peshën e tyre politike, ishin jo vetëm prelud, por edhe një fuqi lëvizëse e inspirimit të vazhdueshme, si emocion dhe si aksion, në të gjithë periudhën e mëtejshme të lëvizjes për liri dhe pavarësi". Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 u shpall në gjendjen e jashtëzakonshme të shtetrrethimit ushtarako-policor, që kishte vendosur Beogradi dhe si kundërpërgjigje ndaj rrënimit kundërkushtetues e me forcë të autonomisë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëhershme. "Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës (konfederatës)." e shpallën delegatët shqiptarë, po edhe të komuniteteve të tjera, të Kuvendit të Kosovë, para dyerve të Kuvendit, të cilat ua kishin mbyllur me urdhër nga Beogradi. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, si Kushtetuta e Kaçanikut e 7 shtatorit 1990, Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991 dhe zgjedhjet e para parlamentare e presidenciale të 24 majit 1992 të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, shënojnë kthesën historike në lëvizjen demokratike gjithëpopullore kosovare për liri e pavarësi, të fillimviteve '90 të shekullit të kaluar. /s.s./
KOMENTE