Kosovë - Thaçi: Zyra Për Shërbime Civile Në Veri Në Shërbim Të Gjithë Qytetarëve
PRISHTINË, 2 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Qeveria e Republikës së Kosovës hapi sot një Qendër-Zyrë për Shërbime Civile në veri të Mitrovicës, e cila do të ofrojë shërbime të nevojshme për të gjithë qytetarët që jetojnë në atë pjesë", bëri të ditur Kryeministri Hashim Thaçi në një konferencë shtypi.
Në këtë qendër, tha Thaçi, do të punojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe të autoriteteve lokale të Komunës së Mitrovicës.
"Qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve do të mund të pajisen me dokumente të ndryshme personale për nevojat e tyre. Kjo qendër u shërben të gjithë qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të Mitrovicës dhe nuk paraqet asnjë rrezik për askënd", theksoi Thaçi.
Ai bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që t'u sigurojë shërbime të gjithë qytetarëve të Kosovës, kudo që jetojnë ata, pavarësisht përkatësisë etnike.
Në konferencën e sotme për shtyp, Thaçi u ndal dhe tek shpërthimi i sotëm në "Lagjen e Boshnjakëve" në veri të Mitrovicës, si pasojë e të cilit humbi jetën një person dhe u plagosën disa qytetarë, të cilët po protestonin kundër hapjes së Zyrës së Qeverisë së Kosovës.
Ai i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, ndërsa kërkoi nga organet kompetente që të hetojnë rrethanat e kësaj ngjarjeje.
"Qeveria e Republikës së Kosovës i fton të gjithë qytetarët që të përmbahen nga veprimet e dhunshme, të rrinë të qetë dhe pakënaqësitë eventuale t'i shprehin në mënyrë paqësore dhe demokratike", apeloi ai.
Thaçi ritheksoi dhe njëherë se "Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për sundimin e rendit dhe ligjit, dhe për t'u shërbyer qytetarëve anëkend Kosovës".
I pyetur nga korrespondenti i ATSH në Prishtinë për situatën në veri dhe mbajtjen e saj nën kontroll pas këtyre zhvillimeve, Thaçi tha se "është një situatë e re, por edhe një përgjegjësi e lartë e institucioneve të Republikës së Kosovës për vendosjen e ligjshmërisë"./s.s./