English

Kreu i LSI, Meta: Reforma zgjedhore do bëhet edhe pa Partinë Socialiste

Tiranë, 2 Korrik 2010 NOA – “Ne do të kërkojmë dhe nuk do të lodhemi së kërkuari reformë. Përderisa ka pretendime dhe nga ana e Partisë Socialiste për transparencë për zgjedhjet, nuk ka kuadër më të mire se sa vetë ndryshimet e kodit zgjedhor për të garantuar transparencën maksimale”, - deklaroi sot Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta.

Ai pohoi se edhe LSI mendon se “kodi ka nevojë për përmirësime, por kjo nuk do të thotë se në rast se nuk ka një vullnet politik, nuk do të bëhen zgjedhje në Shqipëri, sepse në fund të fundit, Shqipëria ka një kod elektoral, të cilin ne nuk e kemi votuar, por që ka marrë 130 vota”.

Z. Meta iu përgjigj sot pyetjeve të gazetarëve lidhur me reformën zgjedhore në Shqipëri, duke siguruar se pavarësisht nëse opozita ka vendosur të mos votojë asnjë draft në Parlament, nismat për zgjedhjet e ardhshme të mos ndalen.

Partia Socialiste ka deklaruar se nuk do votojë asnjë amendament ne Parlament. Si do të tejkalohet kjo situatë?

Mendoj se deklarata të tilla, të cilat nuk i dëgjoni për herë të parë, nuk i kontribuojnë aspak atij preokupimi që shprehin dhe partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë, që të punohet së bashku për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Në këtë drejtim unë shpresoj që deklarata të tilla janë thjesht veprime të momentit, të shkaktuara ndoshta dhe nga rezultatet surprizë të botërorit, por kurrsesi kjo nuk mund të jetë politika afatgjatë e një opozite e cila deklaron, siç ka bërë edhe në të kaluarën, se ka kontribuar për integrimin evropian të vendit, ndaj unë do të konfirmoj edhe një herë tjetër vullnetin dhe dëshirën për të bashkëpunuar ngushtë me opozitën.

Kuptohet që ka dhe mosmarrëveshje dhe kjo është më se normale, aq më tepër midis Qeverisë dhe Opozitës, por ka shumë çështje të përbashkëta, është interesi i vendit. Por të deklarosh se nuk do të votoj më asnjë ligj, asnjë ligj që i shërben integrimit evropian të vendit, ky nuk është një dëm që i bëhet Qeverisë, sepse Qeveria, sikurse të gjithë e dinë, me 71 vota është e blinduar në funksionimin e saj, në mënyrë të veçantë falë ndryshimeve kushtetuese që u bënë natën e 21 prillit.

Por të kontribuosh në mënyrë negative, të mos votosh ligjet që i duhen integrimit të vendit, që i duhen biznesit, që i duhen transparencës, që i duhen funksionimit më të mirë të drejtësisë, ky është një veprim krejtësisht destruktiv, i cili shpresoj të ketë qenë më tepër një lapsus, sesa një politikë e mirëstudiuar dhe e përcaktuar nga ana e lidershipit të Opozitës. Megjithatë kjo është e drejta e tyre, por në vend që të humbasim kohë me deklarata të tilla, do të ishte më mirë t’i ishin drejtuar prej kohësh gjykatës kushtetuese për pretendimet e tyre, dhe në këtë rast, këto çështje do të ishte zgjidhur prej kohësh. Ndërkohë që refuzojnë të bashkëpunojnë për reformën zgjedhore, ndërkohë që i gjithë komuniteti ndërkombëtar kërkon bashkëpunim për reformën zgjedhore, ndërkohë që kanë deklaruar se nuk e kërkojnë transparencën për të rishikuar rezultatet e zgjedhjeve të kaluara sepse ato i quajnë të mbyllura, por e kërkojnë transparencën për të çuar përpara reformën zgjedhore dhe për të garantuar një transparencë të jashtëzakonshme për zgjedhjet e ardhshme. Transparencën e vërtetë e garanton vetëm ligji, kodi zgjedhor dhe reforma zgjedhore.

Ka mbetur dhe shumë pak kohë për të bërë reformën zgjedhore, ndërkombëtarët e kërkojnë këtë, Opozita ka deklaruar se nuk do të miratojë asnjë ligj, si do të veproni ju, a do të kërkoni reformë zgjedhore?

Absolutisht që po. Ne do të kërkojmë dhe nuk do të lodhemi së kërkuari reformë, Përderisa ka pretendime dhe nga ana e Partisë Socialiste për transparencë për zgjedhjet, nuk ka kuadër më të mire se sa vetë ndryshimet e kodit zgjedhor për të garantuar transparencën maksimale. Edhe ne mendojmë që kodi ka nevojë për përmirësime, por kjo nuk do të thotë se në rast se nuk ka një vullnet politik, nuk do të bëhen zgjedhje në Shqipëri, sepse në fund të fundit, Shqipëria ka një kod elektoral, të cilin ne nuk e kemi votuar, por që ka marrë 130 vota. Ky ka qenë kodi më konsensual për sa i përket votave në Parlament, por përderisa ata kërkojnë më shumë transparencë, duhet të kontribuojnë për të përmirësuar kodin zgjedhor dhe për këtë u është ofruar mundësia të marrin dhe rolin drejtues në reformën zgjedhore, të propozojnë të gjitha amendamentet që ata mendojnë do t’i shërbejnë garantimit të transparencës.

A mendoni se reforma zgjedhore do t’i marrë parasysh rekomandimet e OSBE-ODHIR-it?

Rekomandimet e OSBR-ODHIR-it janë baza më solide sepse janë rekomandimet e ekspertëve. Por padyshim që ato nuk përjashtojnë mendime të tjera, ndaj dhe ne kemi krijuar një komision të veçantë, për të shtuar kontributin tonë në shërbim të përmirësimit të standardeve të zgjedhjeve në vend.

r.n/NOA

KOMENTE