Tiranë, 2 Korrik, NOA – Kryeministri Berisha priti sot në një takim të ngrohtë e të përzemërt një grup qytetarësh, të cilët ishin nga të parët që hynë në ambasadat e huaja në 2 korrik 1990.
Në mes tyre ishin Edgar Çani, i cili hyri në ambasadën italiane së bashku me djalin 11 muajsh dhe prestarë të tjerë të familjes, Avni Delvina, piktor në profesion, i cili hyri në ambasadën italiane bashkë me gruan shtatzënë, Armand Xhuli me bashkëshorten Vjollca, Arian Bejko i cili hyri në ambasadën gjermane si dhe Agim Seitaj me bashkëshorten e tij,Manjola Tufina.
Berisha u uroi atyre mirëseardhjen duke u shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për aktin e guximshëm të tyre, i cili, siç theksoi kryeministri Berisha, i çeli rrugën hapjes së një kapitulli të ri në historinë e Shqipërisë, kapitullin e demokracisë.
Më tej, kryeministri nënvizoi se ky grup të rinjsh shqiptarë të atyre viteve kishin në gjirin e tyre njerëzit më të guximshëm, të cilët me sakrificën dhe idealet e tyre, i hapën rrugën ngjarjeve dhe zhvillimeve të mëvonshme të udhëhequra nga rinia e mrekullueshme shqiptare, që sollën mposhtjen e diktaturës dhe erën e demokracisë në Shqipëri.
Gjatë takimit u diskutua me emocion dhe në mes të shumë kujtimeve për ngjarjet e atyre ditëve, vështirësitë por edhe për vendosmërinë e të rinjve të korrikut ‘90 për të rezistuar ndaj presionit të diktaturës dhe për të çuar deri në fund idealet e tyre të lirisë.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e pjesëmarrësve të ngjarjeve të 2 korrikut ’90 i shprehën mirënjohjen kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare për përkujtimin me kaq dinjitet dhe respekt të kësaj ngjarjeje historike, si dhe për punën, përkushtimin e kryeministrit Berisha për t’i ndryshuar faqen Shqipërisë dhe për të bërë realitet ëndrrat dhe idealet e tyre.
n.e/NOA