English

Libri Për Fëmijët Investim I Sigurt Për Shoqërinë E Së Nesërmes

S -"Shqipëria Lexon" nis me fëmijët- TIRANE, 2 Korrik /ATSH-Erla Gjikolli/. -Eksperienca se dashuria për librin, faktor bazë i formimit arsimor dhe kulturor i njeriut, i nisur që në fëmijëri, konsiderohet filozofia, mbi të cilën do të funksionojë faza e dytë e projektit "Shqipëria Lexon" i ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe UNICEF. Në fazën e parë të projektit, i cili u mbyll sot, u bënë publike përfitimet, ndër të cilat, për katër vjet, u pajisën me biblioteka mbi 1226 shkolla parauniversitare në 12 qytete të vendit, me nga 145 libra në rafte, që do të mbyllet me pajisjen e 120 shkollave të tjera këtë shtator, ndërsa u trajnuan mbi 200 mësues në teknikat e leximit. "Pas kompletimit të shkollave, tani nis puna për krijimin e bibliotekave në kopshte, që fëmijët të kenë akses me botën e librit", tha ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, duke specifikuar, "se deri në vitin e ardhshëm, do të pajisen me mini-biblioteka 934 kopështe, duke u fokusuar në komunitetet më të varfra". Duke vënë në dukje dilemën në zgjedhjen që ekziston tek fëmijët mes internetit dhe librit, Tafaj theksoi se, "tashmë interneti është në çdo shkollë të Shqipërisë, por përpjekjet maksimale do të fokusohen te libri dhe politikat për nxitjen e dashurisë ndaj tij që në moshë të hershme". Fondet për pasurimin e bibliotekave në çdo institucion arsimor do të jenë në rritje, konfirmoi Tafaj, sipas të cilit shkollat parauniversitare do të vijojnë të pajisen me kryeveprat e letërsisë dhe jo vetëm. "Shumë kopshte kanë pak libra që janë të përshtatshme për këtë grup- moshë", tha përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Detlef Palm, duke përcaktuar se "situata është akoma më e vështirë në kopshtet rurale, ku ndonjëherë bibiliotekat mungojnë". Veç krijimit të këndeve të reja të leximit, projekti -"Shqipëria Lexon" përcakton dhe vënien në funksion të një biblioteke të lëvizshme me libra cilësor edhe në ato zona ku nuk ka kopshte. Palm theksoi se "stimulimi i dashurisë për librin që në fëmijëri, bën arritje të mëdha dhe është investimi më i madh për shoqërinë e nesërme". Nga projekti "Shqipëri Lexon" ka përfituar edhe shkolla "Emin Duraku" në Tiranë, qytet ku janë instaluar 194 biblioteka. Kjo shkollë, sipas drejtueses, Dhurata Vata, ka pasur dhe ka bibliotekë të madhe. Por ajo veçon titujt e rinj të marrë përmes projektit si "mjaft të dashur për nxënësit, sidomos titujt e letërsisë së huaj dhe shqipe. Shtimi i titujve të rinj gjatë viteve të fundit ka rritur numrin e nxënësve në bibliotekë". Edhe pse jetojmë në erën e modernizimit industrial ku sundon elektronika e teknologjia e lartë, sërish libri mbetet i pazëvendësueshëm. Por dashuria e hershme për të është shumëfaktoriale dhe fillon nga kultura familjare. Fëmijët duke u rritur me dije dhe kulturë të përgjithshme, evidentojnë prirjet e aftësitë, duke u orientuar në fushat ku mund të shkëlqejnë në të ardhmen. Por ç'ka është më e rëndësishme, zhvillimi i hershëm gjuhësor është i lidhur me kontaktet me një mjedis të pasur gjuhësor, nivele të larta komunikimi, me literaturë e libra me cilësi të mirë. Specialistja e kurrikulës, Majlinda Xhamo, tha se tek fëmijët parashkollor, lexim- shkrimi paraqitet si një burim kënaqësie, kurioziteti. "Hyrja në botën e librit vjen natyrshëm në këtë moshë, me veprimtari të thjeshta që shpesh iniciohen nga vetë fëmijët", tha ajo, duke shtuar se leximi i librit fillon me aftësinë për të shfletuar, me përrallën para gjumit dhe vijon përgjatë gjithë jetës, deri në krijimin e preferencës personale për literaturën. Për nxënësen Xhulia Ferro "libri është një botë tjetër, ku autore është imagjinata". Ajo thotë se libri i sfidon mendimet, pasi e bën që ta shohë realitetin në disa këndvështrime. Në Shqipëri, sipas një studimi të UNICEF për vlerësimin e koeficientit të leximit të nxënësve, vajzat, krahasuar me djemtë janë më të lidhura me librin dhe në biblioteka kanë numër më të lartë antarësimi. Në shkolla nurmi i titujve të librave në biblioteka është rritur me 24%, ku koeficienti i librave për fëmijë 1.45. Përqindja e antarësimit në librarinë e shkollës është rritur në 39%. Vitet e fundit ndërtimi i shumë shkollave të reja, krijoi mjedise komode të bibliotekave, që në fakt, u mungonin titujt efektivë të librave. Nisur nga ky realitet, Ministria e Arsimit dhe Shkencës vendosi që arsimi bazë dhe i mesëm të vetëmenaxhojnë fondet për pasurimin e bibliotekave të tyre, në kuadër të zbatimit të mëtejshëm të projektit "Çdo shkollë me bibliotekë". Prej më se pesë vitesh, MASH ka ngritur komisionet, të cilat kanë hartuar listat orientuese të librave që përzgjidhen për bibliotekat e çdo shkolle të arsimit parauniversitar. Të miratuara në dhjetor 2008 dhe qershor 2009, rekomandohen më shumë se 600 tituj të librave artistikë, studimorë, publicistikë, historikë e filozofikë, në ndihmë të procesit mësimor si dhe të veprimtarive të tjera ekstrakurrikulare në shkollat e arsimit bazë dhe të mesëm. Komisionet që kanë hartuar listat orientuese, përbëhen nga studiues të fushave të ndryshme të letërsisë, gjuhësisë, historisë dhe shkencave të tjera. Procedura e përzgjedhjes së librave nga drejtoritë rajonale ka synuar thellimin e decentralizimit dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në realizimin e këtij procesi. Vetëm për vitin 2009, për arsimin bazë dhe të mesëm, fondi i akorduar nga MASH për bibliotekat shkollore ishte 70 milionë lekë. Për vitin 2010 fondi i parashikuar për krijimin dhe pasurimin e bibliotekave shkollore nuk është lëvruar ende, pasi MASH po punon për përmirësimin e procedurave të realizimit të këtij investimi, mbështetur kjo edhe në përvojën e viteve të kaluara./n.m/
KOMENTE