Athinë, 2 Korrik, NOA – Kopetë e humbura të lopëve të fermerëve grekë që nga territori i Greqisë po hyjnë në Bullgari, kanë filluar pushtimin e komunës bullgare Kirkov, duke shqetësuar kështu vendorët.
Kjo situatë po krijon dhe po kërcënon me një skandal diplomatik midis dy vendeve, sepse problemi tanimë është shndërruar në kontest diplomatik.
“Kope të pashoqëruara nga rreth 50-60 copë shpesh hyjnë nga Greqia në Bullgari duke dëmtuar dhe shkatërruar kopshtet e perimeve dhe frutave të banorëve lokalë”, thekson një banor vendas.
Popullata lokale bullgare, kryesisht me besim mysliman dhe origjinë turke, shprehet gjithnjë e shqetësuar, por ata janë të pafuqishëm për t’u përballuar me murtajën e re të pushtimit të tyre me lopët greke, për të cilat nuk kanë zgjidhje.
Lopët greke ata i krahasojnë me marokenët të ashtuquajtur “Grasshopers” që kohët e fundit pushtuan territorin grek në afërsi të kufirit bullgar, dhe që kryejnë punë bujqësie në zonën e verës.
Bashkia Kirkovo, e cila ndodhet në kufi i ka të punësuar tre roje të arave dhe malit të fshatit, por ata janë të pamjaftueshëm për të përballur fluksin masiv të lopëve të lëshuara nga territori grek. Ata e kanë të vështirë të merren me to dhe t’i trembin që të mos hyjnë më thellë në fshat dhe të rrezikojnë të mbjellat e fshatarëve të varfër të fshatrave të kësaj bashkie bullgare.
Kryetari i kësaj bashkie të varfër kufitare Kirkovo, Shukran Idriz ka thënë se ka vendosur të organizojë kërkimin apo asgjësimin e pushtuesit, gjegjësisht duke aluduar në lopët që kanë vërshuar fshatrat e komunës së tij
“Do të organizojmë gjueti ku do të marrin pjesë të punësuar komunalë, zyrtarët e policisë kufitare, veterinerët, dhe fermerët lokalë nëse dëshirojnë të bashkohen”, ka theksuar Idriz.
Sipas banorëve në Kirkovo, shkaku i problemit me lopët e humbura greke është shumë i thjeshtë.
Në fillim të çdo viti, fermerët grekë marrin subvencione prej rreth 700 euro për lopë nga Ministria e Bujqësisë, donacione që vijnë nga fondet e Bashkimit Evropian.
"Ata marrin paratë dhe pastaj nuk kujdesen aspak për lopët. Ata qëllimisht i përzënë dhe i lëshojnë në mal në afërsi të kufirit, që më pas të arsyetohen se lopët i kanë humbur. Por, nuk po llogarisin se neve na bëjnë dëm të madh dhe nuk po dimë çka të bëjmë. Për ne është haram që të keqpërdorim ato, t’i presim apo t’i konfiskojmë përnjëherë”, thekson kryebashkiaku Shukran Idrizi, duke kërkuar që shteti grek të mbajë llogari për situatën e krijuar dhe të mos keqpërdorë fondet, por edhe zonën kufitare.
Shukran Idrizi më në fund kërcënohet se të gjitha lopët e humbura greke do të urdhërojë që të theren dhe mishin tua japë banorëve më të varfër të komunës.
Kur u pyetën nëse ai i frikësohet një skandali diplomatik, nëse pronarët e vërtet të lopëve i kërkojnë ato, Idriz ka shprehur shpresën e tij se kjo nuk do të ndodhë, por theksoi se ai është i obliguar për të siguruar mbrojtje për njerëzit në komunën e tij.
NOA-INA