Tiranë, 2 Korrik, NOA – Shqipëria synon të afirmojë rolin e saj si një vend mesdhetar që do të japë kontributin e saj në rajonin e Mesdheut.
Një fakt të tillë zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, e ka theksuar gjatë fjalës së mbajtur, pasi ka nënshkruar paraditen e sotme një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me ambasadorin e Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio.
“Shqipëria do të jetë gjithmonë e më aktive dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në Unionin për Mesdheun lidhur me përcaktimin e rolit të saj në rajonin e Mesdheut”, u shpreh ai.
E duke i vlerësuar si mjaft të mira marrëdhëniet me Spanjën, ai tha se ky vend po e ndihmon shumë Shqipërinë për promovimin e raporteve të saj të reja në rajonin e Mesdheut, por edhe më gjerë, duke përfshirë këtu sfidën e integrimit evropian.
Ndërsa në lidhje me marrëveshjet e nënshkruara, Meta tha se ato ishin konkretisht “Për eliminimin e tatimit të dyfishtë” dhe “Parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat”.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë mjaft intensive mes dy vendeve dhe në veçanti që nga hapja e ambasadës së Spanjës në Shqipëri e aktivitetet e shumta apo përkushtimi e puna e palodhur të ambasadorit Montobio. Ato kanë shënuar jo vetëm marrëdhënie të niveleve më të larta, por na kanë ndihmuar edhe për të parë përtej asaj hapësirë të deri pak viteve të diplomacisë tonë”, theksoi Meta në fjalën e tij duke iu referuar raporteve Spanjë-Shqipëri.
n.e/NOA