English

Meta-Montobio Firmosin Marrëveshjen Për Heqjen E Tatimit Të Dyfishtë

TIRANE, 2 Korrik / ATSH- A.Gegvataj/ - Shqipëria dhe Spanja vendosën eleminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimi i evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat, një hap konkret që pritet të rrisë shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. Gjithçka bëhet e mundur që nga dita e sotme, pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim mes Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës nga zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta me Ambasadorin e Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio. Pas firmosjes, Meta deklaroi se "marrëdhëniet mes dy vëndeve janë intensive, në veçanti që nga hapja e Ambasadës Spanjolle para pak vitesh në Shqipëri si dhe përkushtimi e puna e palodhur e Ambasadorit Montobio. Spanja na ka ndihmuar për të parë përtej hapësirës të deri deri pak viteve të diplomacisë sonë". Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se "Shqipëria synon të afirmojë më tej profilin e saj si një vend mesdhetar dhe si një vënd, që ka rol të rëndësishëm në rajonin e Mesdheut. Në këtë drejtim Spanja ka kontribuar e do të kontribuojë më shumë". Gjithashtu Meta vlerësoi zhvillimet pozitive në këto 6 muaj të Shqipërisë në raport me BE gjatë presidencës spanjolle, e cila "ka bërë propozim pozitiv për liberalizmin e vizave për Shqipërinë dhe për Bosnjën që u mbështet unanimish edhe në deklaratën e Sarajevës". Ambasadori i Spanjës, Manuel Montobio e cilësoi marrëveshjen e nënshkruar si "një lojë dhe gol shumë të rëndësishëm në avancimin e mardhënieve mes dy vendeve". "Nënshkrimi i marrëveshjes për evitimin e tatimit të dyfishtë dhe evazionin fiskal është akt besimi i ndërsjelltë dhe shumë i veçantë mes dy shteteve tona", tha ai. Për Montobion, përveç aspektit praktik të marrëveshjes për personat që punojnë në Shqipëri dhe Spanjë nuk do të kenë nevojë të paguajnë tatim të dyfishtë, ajo "është shenjë besimi që qeveria Spanjolle i bën ekonomisë shqiptare duke besuar që kompanitë dhe bizneset spanjolle ia vlen të investojnë në Shqipëri". Duke nënvizuar se mardhëniet mes dy shteteve janë intensifikuar shumë gjatë viteve të fundit, Ambasadori Spanjoll shprehu bindjen se "zhvillimet mes mardhëineve tona nuk janë vetëm bilaterale, por ka një vokacion për të qënë së bashku në botë. Për këtë arsye Spanja ka qënë një partner i ngushtë i Shqipërisë në projeksionin e saj në Mesdhe", përfundoi përfaqësuesi i diplomacisë spanjolle, Montobio./n.m/ .
KOMENTE