Meta:Opozita Të Bashkëpunojë Për Reformën Zgjedhore
TIRANE, 2 Korrik / ATSH- A.Gegvataj/ - "Kushtëzimi i marrëdhënieve të opozitës me parlamentin duke mos votuar ligje që i duhen integrimit të vëndit, biznesit apo funksionimit të drejtësisë, është investim destruktiv", deklaroi sot zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm,Ilir Meta.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave për situatën politike në vënd, Shefi i diplomacisë shqiptare theksoi se"opozita duhet të bashkëpunojë për reformën zgjedhore duke sjellë fillimisht propozimet për të gjitha amendamentet".
Sipas tij, qëndrimi opozitar mund të jetë lapsus dhe jo një politikë e mirëstudiuar dhe e përcaktuar nga ana e lidershipit të PS-së. "Ky nuk është një dëm që i bëhet Qeverisë, pasi ajo me 71 vota është e blinduar në funksionimin e saj, falë ndryshimeve kushtetuese që u bënë me 21 prill 2009", tha Meta.
Ai shtoi për opozitën, që ndërsa humbet kohë me deklarata të tilla, do të kishte qënë shumë më mirë t'i ishte drejtuar prej kohësh Gjykatës Kushtetuese për një nga pretendimet e tyre.
"Në rast se do të ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kjo çështje do të ishte zgjidhur prej kohësh dhe një transparencë të vërtetë dhe afatgjatë, garanton vetëm ligji, kodi zgjedhor dhe reforma zgjedhore", nënvizoi ministri i jashtëm dhe kryetar i LSI-së, Meta.
Duke konfirmuar vullnetin dhe dëshirën për të bashkëpunuar ngushtë me opozitën, Meta tha se "nuk do të lodhemi së kërkuari reformë zgjedhore".
"Përderisa ka pretendime edhe nga ana e PS-së për më shumë transparencë për zgjedhjet, nuk ka kuadër më të mirë sesa ndryshimet e Kodit zgjedhor për të garantuar transparencën maksimale", shtoi ai.
Kreu i diplomacisë shprehu mendimin se "kodi ka nevojë për përmirësime por kjo nuk do të thotë se në rast se nuk ka një vullnet politik, nuk do të bëhen zgjedhje në Shqipëri".
Meta tha se për ndryshimet në ligjin elektoral, opozitës i është ofruar mundësia edhe për të marrë rol drejtues, si dhe të propozojë të gjitha amndamentet që mendon se do t'i shërbejnë garantimit të transparencës së plotë.
Për këtë çështje ai nënvizoi se "rekomandimet e OSBE/ODIR janë baza më solide sepse janë rekomandime të ekspertëve".
"Pa dyshim që ato nuk përjashtojnë mendime të tjera dhe ne prandaj kemi krijuar një komision të veçantë që të shtojmë kontributin tonë për përmirësimin e standarit të zgjedhjeve në vëndin tonë", përfundoi zvkryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta./n.m/