English

Ministria e Bujqësisë nxjerr fakt tronditës, në treg shitet djathë me amidon

Tiranë, 2 Korrik 2010 NOA/ Rajmonda Lajthia - Konsumatori shqiptar nuk është i mbrojtur nga produktet që tregtohen, si përsa i përket përbërjes se tyre edhe nga çmimi. Ky fakt konstatohet në tregun e ashtuquajtur fshatar.

Në një nga tregjet e mëdha të Tiranës, tek ish- uzina Dinamo, Ministria e Bujqësisë ka bllokuar një sasi djathi, që rezultonte të ishte prodhuar me amidon. Por djathi me amidon dhe miell qumështi gëlon dhe në shumë dyqane në Tiranë dhe rrethe.

Amidoni është një përbërës i niseshtesë. Ky futet në lëndën e prodhimit të djathit me qëllim trashjen e tij duke zvogëluar maksimalisht sasinë e qumështit dhe në këtë mënyrë realizohet prodhimi i djathit artificial, ku nuk mungon edhe qumështi pluhur.

Një fakt i tillë nuk deklarohej nga tregtarët, duke mashtruar qytetarët, si në cilësi ashtu edhe në kosto.

Në këtë treg ushtrojnë veprimtarinë 37 subjekte, të cilët shesin këtë produkt, por edhe pse e kanë detyrim ligjor, asnjë prej tyre nuk e vendos etiketën për përbërjen. Subjekti është gjobitur nga me një shumë simbolike prej 5 mijë lekësh.

E megjithatë higjiena në këtë treg lë për të dëshiruar, ndaj dhe përfaqësues të ministrisë kanë kërkuar përmirësim të situatës.

Shumë qytetarë të Tiranës blejnë në tregjet fshatare, për shkak të prodhimeve të vendit që tregtohen dhe çmimeve relativisht më të ulëta. Qytetarët shkojnë në këto tregje me shpresën për të blerë prodhime bio dhe bien viktima të produkteve që janë të rrezikshme për shëndetin, ose më së paku, nuk sjellin asnjë dobi për shëndetin duke konsumuar prodhime pa asnjë vlerë ushqimore.

r.l/r.n/NOA

KOMENTE