Shkodër, 2 Korrik, NOA – Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në një fshat të Malësisë së Madhe, ku nënë e bijë janë mbytur në përpjekjet për të shpëtuar njëra-tjetrën pas hedhjes në rezervuar.
Ajo konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore, sipas të cilave, gjithçka ka ndodhur pasi vajza 9-vjeçare ka rënë në rezervuar, ndërsa nëna e saj ka rendur për ta shpëtuar kur vuri re se vajza e saj nuk po dilte dot prej tij.
Mësohet se viktimat mbajnë përkatësisht emrat Nexhmije Hyka, 39 vjeç dhe Esmeralda Hyka, 9 vjeç; të dyja nënë e bijë nga fshati Vorfe i komunës së Gruemirës nga Malësia e Madhe, vend edhe ku ka ndodhur ngjarja fatale.
“Ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, pasi vajza ka shkuar për t’i dhënë ujë lopës dhe ka rrëshqitur në ujërat e rezervuarit, ndërsa nëna ka shkuar për t’i dhënë ndihmë vajzës së saj, duke humbur që të dyja jetën me mbytje në rezervuar”, saktëson zyrtarisht njoftimi i policisë rreth kësaj ngjarje.
Ndërsa thuhet, se vetëm pak minuta më parë, dy trupat e pajetë janë nxjerrë prej rezervuarit nga forcat policore dhe materialet në lidhje me ngjarjen në fjalë, iu kaluan prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
n.e/NOA