English

PD: Rama, vetëm konferenca të mërzitshme

Tiranë, 2 Korrik, NOA – Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në konferencën e tij të gjatë e të mërzitshme të shtypit nuk guxoi sot që të zërë me gojë 2 korrikun 1990 dhe as heroizmin, guximin e trimërinë e autorëve të tij.

Një kritikë e tillë ka mbërritur nga selia blu sot për kreun e selisë rozë, i cili sipas tyre po bën konferenca gjithmonë e më të mërzitshme, duke mos prekur problematikat e vërteta në vend, por duke folur veç për fiksimin e tij mbi transparencën e zgjedhjeve.

“Sot Edvin Rama, në datën 2 korrik, ditën kur 20 vjet më parë të rinjtë shqiptarë shembën Murin e Berlinit në Tiranë kurse bllokmenët u vërsulën me tërbim dhe mizori kundra tyre, në ligjëratën e tij prej 1 ore, me heshtjen në të cilën nuk shqipëroi asnjë fjalë të vetme për 2 korrikun, dëshmoi se ndan për këtë ngjarje historike mendimin dhe qëndrimin e etërve të tij”, citohet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Sipas saj, të dalësh para mediave në datën 2 korrik, të shpifësh e të trillosh 1 orë për ekonominë e vendit pa asnjë fakt e argument dhe të mos shqipërosh asnjë fjalë të vetme për veprën e maratonomakëve të lirisë së shqiptarëve, do të thotë se ruan ndaj tyre frikën, tmerrin dhe urrejtjen që ata u kallën etërve të tij.

“PD u bën thirrje shqiptarëve të shtrojnë pyetjen se cilat janë arsyet dhe çfarë fshihet prapa heshtjes së Ramës ndaj kësaj ngjarje madhore në historinë e demokracisë shqiptare? Çfarë e detyron këtë njëri që në konferencën e tij të gjatë e të mërzitshme të shtypit të mos guxojë të zërë me gojë 2 korrikun, heroizmin, guximin dhe trimërinë e autorëve të tij?”, përfundon deklarata e selisë blu.

n.e/NOA

KOMENTE