English

PDR: Ribalancimi i buxhetit, projekt antipopullor dhe antishqiptar

Shkup, 2 Korrik, NOA – Rebalanci i buxhetit të vitit 2010 me refuzimin e 152 amendamenteve të Demokracisë së Re mbetet një projekt antipopullor dhe antishqiptar.

Kështu ka pohuar në një deklaratë, kreu i kësaj force politike në Maqedoni, Imer Selmani, sipas të cilit, nga 152 amendamentet e DR-së për ndërtim të shkollave, çerdheve për fëmijë, rrugëve, ujësjellësave, kanalizimeve, ambulancave dhe shumë amendamente për kulturën dhe arsimin shqip nga mazhoranca parlamentare VMRO-BDI nuk u pranua asnjë.

“Dhe ajo që na çudit edhe më tepër është fakti se si deputetët e BDI-së pikërisht nga komunat nga ku vijnë vetë, votonin kundër projekteve që DR-ja i propozonte për ato komuna”, deklaron Selmani.

Duke shtuar se “paradoksi i këtij procesi kundër këtyre 152 projekteve qëndron në atë se krahas faktit se vendi është në krizën më të thellë ekonomike, me papunësi më të lartë në Evropë, deputetët e BDI-së dhe VMRO-së vendosën që me çdo kusht të mos i shkurtojnë paratë për përmendoret e “Shkupit 2014”, për teleferikun për te kryqi në Vodno, për “Portën triumfale” në Sheshin e Shkupit, për Stadiumin “Filipi i Dytë”. Vetëm këto katër projekte kushtojnë mbi 300 milion euro.

“Është e vërtetë se ne kërkuam shkurtimin e këtyre projekteve për 118 milion euro, është e vërtetë se deputetëve të VMRO-së kjo nuk iu pëlqen dhe votuan kundër projekteve tona, është e vërtetë se asnjë nga projektet tona nuk janë luksoze sikur projektet e VMRO-së dhe BDI-së, por janë nevojë e popullit për një jetë sadopak më normale.

Ajo që asnjë shqiptar në Maqedoni dhe jashtë vendit nuk mund ta kuptojë është se si deputetët e BDI-së pa fije të ndërgjegjes dhe përgjegjësisë ndaj popullit shqiptar votuan kundër të gjitha amendamenteve të DR-së të cilat ishin në drejtim të ndarjes së barabartë të buxhetit të shtetit”, citon më tej deklarata.

Duke kërkuar në fund sqarim nga drejtuesit e BDI-së, të sqarojnë faktin pse votuan kundër ujit të pijshëm për qytetarët e Gostivarit, kundër kanalizimit në Haraçinë, kundër “Rrugës së Arbërit”, kundër shkollave të mesme në komunat e Sarajit, Zhelinës, Haraçinës, Studeniçanit, Likovës, kundër meremetimit të xhamisë së djegur në Prilep, kundër rrugës për në Jabollçishtë, kundër rritjes së buxhetit për USHT-në, kundër meremetimit të varrezave të lashta Ilire në Dollogozhdë të Strugës dhe kundër gjithsej 152 projekteve të cilat duhej të ndryshojnë kushtet e jetesës së qytetarëve të komunave të Maqedonisë Veriperëndimore.

n.e/NOA

KOMENTE