English

Portret - Komorowski, Radikali I Shndërruar Në Partizan Të Kompromisit

VARSHAVË, 2 korrik /ATSH-AFP/ - Liberali, Bronislaw Komorowski, 58 vjeç, i cili është më favoriti në turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohen të dielën në Poloni zgjodhi të braktisë radikalizmin e tij antikomunist të rinisë për të shfaqur një imazh të njeriut të kompromiseve. "Isha një radikal'', deklaroi ai kohët e fundit. ''Do të kundërshtoja tryezën e rrumbullakët mes 'Solidarnostit' dhe pushtetit komunist, negociata që i hapën rrugën në vitin 1989 shpërbërjes së ish-regjimit në Poloni'', shton ai. Ndryshe nga miliona polakë, ai bojkotoi zgjedhjet e para gjysmë demokratike më 4 qershor 1989 në Poloni. Ndryshimi erdhi disa muaj më vonë, nën influencën e Tadeusz Mazowiecki, kryeministër i një kabineti jokomunist në bllokun sovjetik, i cili do t'i besojë një post në administratën e tij. ''Mazowiecki i ofroi një mundësi për të ndryshuar dhe për t'u bërë njeri i kompromiseve dhe moderimit'', theksoi ai. Më parë, së bashku me Tadeusz Mazowiecki dhe kundërshtarë të tjerë si Bronislaw Geremek dhe Wladyslaw Bartoszewski, shefat e ardhshëm të diplomacisë polake, Bronislaw Komorowski u internua më 13 dhjetor 1981 pas vendosjes së ligjit të luftës nga gjenerali, Wojciech Jaruzelski. Që prej asaj kohe, Bronislaw Komorowski ishte pjesë e tre qeverive në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes para se të merrte portofol në vitet 2000 dhe 2001 në qeverinë e Jerzy Buzek, presidenti aktual i Parlamentit Evropian. Pas rrëzimit të partisë Bashkimi për Liri, partia e qendrës e drejtuar nga Mazowiecki, ai iu bashkua partisë të Platformës Civile, themeluar në vitin 2001 nga kryeministri aktual liberal dhe proevropian Donald Tusk. Me profesion historian, Komorowski ka qenë gjashtë herë deputet dhe më pas zgjidhet president i Dhomës së Ulët të parlamentit në nëntor 2007, pas fitores në zgjedhje të Partisë Liberale Platforma Qytetare (PO). Aksidenti ajror, ku humbi jetën presidenti Lech Kaczynski më 10 prill në Smolensk, në Rusi, e bëri papritur figurë të parë të shtetit. Ai mori detyrat e vështira të presidentit të përkohshëm me gjakftohtësi duke siguruar drejtimin e çështjeve publike dhe përgatitjen e zgjedhjeve presidenciale duke zhvilluar dhe fushatën tij elektorale në një situatë të pazakontë me sfondin e dramës së Smolenskut. Gjatë kësaj fushate ai nuk ka evituar disa gabime dhe kundërshtarët e tij dhe media e kanë kritikuar për mungesë karizmi. Jo pa arsye, Bronislaw Komorowski vjen nga një familje fisnike polake që ka shkruar shumë faqe të lavdishme të historisë së vendit dhe që lidhet me shtëpinë mbretërore të Belgjikës. Njerka e princit trashëgimtar Filipe mbante mbiemrin e vajzërisë Komorowska. Bronislaw Komorowski u lind më 4 qershor 1952 në Oborniki Slaskie, pasi familja e tij me origjinë lituaneze u dëbua nga pronat e tyre nga sovjetikët në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Ai u vendos më pas me prindërit në një lagje në Varshavë ku familja e tij jetonte në varfëri. Komorowski është i martuar dhe baba i pesë fëmijëve. / /ec/ a.jor.
KOMENTE