Qeveria, njësoj si në paralelizmin e bërë, ka rritur huamarrjen e brendshme nga depozitat e shtuara, përsëri përmes bonove të thesarit në lekë dhe në euro. Ç’po ndodh realisht, që ta lidhim me atë se ç’është në fakt kjo rritje pensionesh në këto kushte kur duhet të kishte një qasje tërësisht tjetër në funksion të të sotmes dhe të nesërmes të vendit
Nga Edi Rama
Kryetar i PS
Çështja prioritare e krizës ekonomike, e cila thellohet përditë në raport me një fakt, atë të ashtuquajturës rritje të pensioneve, nga ana e një qeverie që sot ka mbërritur në pikën ku realisht pa asnjë ekzagjerim dhe ekuivok mund ta krahasojmë me qeverinë që udhëhoqi Shqipërinë drejt kolapsit financiar në vitet 90.
Çfarë ndodhi në vitin 1996. Zgjedhjet e 26 majit diktuan për shkak të vizionit të mbrapshtë dhe kuptimit tërësisht të shtrembër të vetë politikës, një sasi marramendëse shpenzimesh elektorale. Në atë kohë le të kujtojmë se paratë u lidhën me nxitjen dhe mbështetjen e skemave piramidale përmes një huamarrjeje me interesa shumë të larta. Njerëzit i mbyllën atje kursimet dhe gjithçka e lidhën me ato skema. Paratë e mbledhura u depozituan në tre bankat shtetërore. Qeveria njësoj si sot rriti huamarrjen e brendshme nga depozitat e fryra atëherë përmes bonove të thesarit.
Sot qeveria nuk ka para për shkak të një krize ekonomike të cilën e ka përshpejtuar në mënyrën marramendëse po vetë. Nga një anë duke e mohuar, dhe nga ana tjetër përmes shpenzimeve abuzive elektorale të një viti më parë, të cilat e kanë vendosur qeverinë sot në kushtet e mbartjes së një fature shpenzimesh e borxhesh që është e papërballueshme dhe që rëndon përditë e më shumë mbi kurrizin e çdo familje shqiptare. Sot gjendemi në kushtet kur një pjesë e mirë e njerëzve i kanë depozituar të ardhurat nga emigracioni, nën presionin edhe të krizës greke, këtu në bankat shqiptare. Qeveria, njësoj si në paralelizmin e bërë, ka rritur huamarrjen e brendshme nga depozitat e shtuara, përsëri përmes bonove të thesarit në lekë dhe në euro. Ç’po ndodh realisht, që ta lidhim me atë se ç’është në fakt kjo rritje pensionesh në këto kushte kur duhet të kishte një qasje tërësisht tjetër në funksion të të sotmes dhe të nesërmes të vendit. Ka një qasje tërësisht kriminale në funksion vetëm të pushtetit të një grushti njerëzish që e kanë marrë vendin peng.
Qeveria nuk ka dhe nuk po mbledh dot para.
Në 5 muaj janë 12.4 mld lekë më pak, sesa ç’ka duhet të ishte mbledhur.
a- Për shkak të krizës reflektuar drejtpërdrejtë në paratë e pa mbledhura nga TVSH-ja, nga tatim fitimi, nga taksat doganore etj.
b- Për shkak të papunësisë reflektuar nga paratë e pa mbledhura nga tatimi mbi pagat, sigurimet shoqërore.
c- Për shkak të korrupsionit reflektuar në paratë e pa mbledhura nga akciza.
Qeveria në këto kushte i drejtohet depozitave të qytetarëve duke marrë para borxh me interesa marramendëse nga këto depozita. Në 5 muaj, 12.4 mld lekë ose 260% e planit. Atë çka nuk e merr dot nga një sistem i cili është në kolaps, shkon dhe e merr duke futur në kolaps një tjetër sistem që duhet të jetë në fakt në funksion të ekonomisë së vendit, në funksion të sipërmarrjes, në funksion të familjeve dhe jo në funksion të mbajtjes së pushtetit dhe të kryerjes së funksioneve bazë të qeverisë. Deficiti ka arritur në 11.5 mld ose 153.8% e planit buxhetor. Në qershor çdo gjë ka shkuar akoma më keq. Qeveria ka marrë 7.5 mld lekë të tjera borxh. Përsëri ku i ka marrë? Ka shkuar i ka marrë tek depozitat e qytetarëve, duke mos qenë në gjendje t’i marrë nga sistemi, duke mos qenë në gjendje t’i mbledh nga gjithë ato detyrime që normalisht e ushqejnë buxhetin e shtetit, që pastaj me këtë buxhet të kryejë detyrimet funksionale ndaj qytetarëve. Në total kemi mbërritur në 20 mld në 6 muaj ose 70% e shtesës së depozitave prej 30 mld lekësh. 70% e kësaj shtese depozitash që ka ardhur si rezultat i futjes në sistemin bankar të kursimeve të njerëzve për shkaqe që janë lehtësisht të analizueshme, është thithur nga qeveria për të mbushur një gropë që e ka hapur vetë qeveria në funksion të pushtetit të Sali Berishës e të familjes së tij dhe për të kryer detyrat e veta funksionale. Këto para sigurisht shkojnë për këto detyra funksionale. Çfarë ndodh? Pagat dhe pensionet si dhe interesat, nuk paguhen dot më nga sistemi. Nuk paguhen dot më, sepse paratë nga tatimet dhe nga doganat nuk mjaftojnë. Janë qytetarët me depozitat e tyre që paguajnë qeverinë që qeveria pastaj këto t’jua kthejë, në një pjesë në formë pagash dhe pensionesh dhe në një pjesë tjetër t’jua çojë “për dreq” për të paguar interesat super të larta të një politike ekonomike, që jua kam thënë, jua kemi thënë, qysh në krye të herës, po e çon ekonominë në një tatëpjetë ku rrezikojmë të hyjmë në fazën që inercia e bën të pandalshme krizën dhe kolapsin e bën katastrofik.
Sali Berisha del dhe thotë, jam i vetmi kryeministër në botë që po rrisë pensionet në kushtet kur të tjerët, jo vetëm nuk po rrisin, por po ulin rroga, edhe në vendet më të zhvilluara. A ka shqiptar të arsyeshëm që të besojë se ky është rezultat i suksesit ekonomik, dhe që i vetmi vend në botë me sukses ekonomik qenka Shqipëria, ndërkohë që e gjithë bota po rrotullohet mbrapshtë?! Apo mos jemi në kushtet ku jemi i vetmi vend në botë që qeverisemi nga një politikë e një papërgjegjshmërie të atillë që nuk do të dijë se çdo të ndodhi nesër. Nga një pushtet që ushtrohet mbi devizën e njohur, po jo në histori të demokracisë, në historinë e errësirave të mëparshme, që i kanë paraprirë demokracisë: “pas meje u bëftë qameti”.
Në fakt duke i hyrë tani më në detaj çështjes së kësaj rritjeje, më lejoni t’ju them se nuk ka rritje.
404 mijë pensione të larta urbane, pensione të ulëta urbane, pensione invaliditeti urbane, familjare urbane, ushtarakësh e policësh, pilotësh e detarësh, profesorësh, pra kjo kategori rriten më pak se 6 %. Në vlerë kjo nuk është absolutisht siç thotë Sali Berisha në mënyrën më cinike, e sigurisht me paturpësinë që e karakterizon në gulçin për të mbajtur me çdo kusht një pushtet që po e rrënon përditë ekonominë duke e çuar Shqipërinë drejt greminës, që rritja e këtyre pensioneve është një rritje më e madhe se rritja e çmimeve. Vetëm me faturën e dritave dhe të ujit, t’i heqim të gjitha rritjet e tjera, pensionistëve u janë marrë 3000 mijë lekë, ndërkohë që qeveria u jep 200 deri në 420 lekë. Le të kalojmë tek pensionet rurale të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare. 160 mijë të tilla rriten më pak se 10 %. Në vlerë leku janë 614 lekë. Vetëm me faturën e dritave dhe të gazit këtyre pensionistëve u janë marrë minimalisht 3000 lekë, qeveria u jep 614 lekë. Ku është rritja këtu?! Pa hyrë fare të rritja e çmimeve të tjera të jetesës. Jemi në kushtet kur këto familje po marrin një të ashtuquajtur rritje pensionesh nga depozitat e tyre. Depozita të cilat Sali Berisha po i përdor duke kërcënuar të fusë në kolaps sistemin që ushqen ekonominë, që stimulon sipërmarrjen që mban gjallë ato vende pune që i krijon dhe i mundëson sipërmarrja, e cila nuk do të ketë mundësi të financohet nga bankat, që të gjitha po i çojnë në xhepin e qeverisë. Nga ky xhep ku në fakt duhet të grumbulloheshin të gjitha ato të ardhura të tjera që janë pjesë e detyrës funksionale të qeverisë, po dalin depozitat e shqiptarëve që po u shkojnë familjeve në formë rritjeje pensionesh. Rritje qesharake, e cila është propagandistike, e cila është vetëm sa për t’ju thënë shqiptarëve që Shqipëria po ecën përpara, njësoj siç po ecte përpara në kohën kur shqiptarët u detyruan të futen në ambasada për t’i ikur pushtetit të Sali Berishës dhe të atyre të cilëve Sali Berisha u shërbente me zell.
Çështja e dytë është kriza politike, e cila sot është më e thellë se sa ç’ishte pak kohë më parë. Unë i bëj apel Sali Berishës ta zgjidhë për të mos e kthyer në një nyje tjetër, se boll e kanë shqiptarët nyjen e krizës ekonomike që po ua shtrëngon fytin dita ditës.