Qarkullimi Rrugor, Përdoruesit E Rrugës Të Respektojnë Kodin Rrugor
TIRANË, 2 Korrik /ATSH / - Policia e kryeqytetit i kërkoi sot të gjithë përdoruesve të rrugës, të respektojnë normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit, si dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve në rrugë, si dhe lëvizjen e lirë të mjeteve dhe kalimtarëve në rrugë, burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bëjnë të ditur të premten për ATSH-në se, kontrolle po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit, parkimet e gabuara etj.
Sipas burimeve, për shkelje të Kodit Rrugor, vetëm gjatë ditës së djeshme, shërbimet e Qarkullimit Rrugor në kryeqytet morrën 782 masa administrative, ndërsa pezulluan 18 leje drejtimi.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dy ditë më parë kërkoi një përmirësim të shpejtë dhe radikal të treguesve të qarkullimit rrugor. Në takimin që ai zhvilloi me drejtuesit e sapoemëruar të strukturës së re të Policisë Rrugore, si dhe drejtuesit e policive në qarqe, ndër të tjera vuri në dukje se "krijimi i Task Forcave të përhershme, pajisja me mjetet më të fundit të teknologjisë, si dhe përzgjedhja e punonjësve me përvojë, kanë si qëllim të vetëm, përmirësimin radikal të rezultateve në qarkullimin rrugor dhe zbritjen e menjëhershme të numrit të aksidenteve".
Basha u kërkoi gjithashtu drejtuesve të Qarkullimit Rrugor, të bashkëpunojnë me organet e pushtetit qendror dhe vendor në çdo qark, për një sezon sezonit turistik të suksesshëm dhe të sigurtë. /a.ke/