English

Shkatërrohet grupi i rrezikshëm, po organizohej për grabitje me armë

Vlorë, 2 Korrik, NOA – Një grup me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, i organizuar për të realizuar grabitje me armë dhe maska të disa karburanteve dhe banesave në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë, ka mundur të vihet në pranga nga forcat e policisë nën operacionin e koduar "Maskat".

Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA duke saktësuar se të ndaluarit janë Viktor Nuredinaj, 39 vjeç dhe Lodian Zykaj, 30 vjeç; që të dy lindur dhe banues në Vlorë.

Mësohet ndër të tjera se në momentin e arrestimit, këtyre personave iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 kallashnikov, një pistoletë, 150 fishekë dhe 7 krehra me fishekë, 4 maska me ngjyrë të zezë, 5 doreza të gomuara, 1 qese me sallam të helmuar që do të përdorej për të helmuar qenin e objektit ku do të realizohej grabitja, 1 makinë volsvagen me targë TR 3279 N.

Ndërsa materialet procedurale në ngarkim të të ndaluarve i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së Vlorës për veprat penale të “Vjedhjes me armë në bashkëpunim e mbetur në tentativë”, “sigurim i mjeteve për vjedhje”, si dhe “armëmbajtje pa leje”.

Bëhet me dijeni se këta kanë qenë të dënuar më parë, si dhe kanë qenë anëtarë të një bande të rrezikshme gjatë trazirave të vitit 1997.

n.e/NOA

KOMENTE