English

Shkodër: Homazhe Në Nderim Të Aktorit Bep Shiroka

SHKODËR, 2 Korrik/ATSH-G. Marku/- Qytetarë shkodranë, miq, shokë, kolegë e dashamirës të artit, i dhanë sot lamtumirën e fundit aktorit të mirënjohur Bep Shiroka, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 76 vjeçare. Përgjatë dy orëve (16.00 deri në 18.00), qytetarët shkodranë bënë homazhe në nderim të aktorit në hollin e teatrit "Migjeni", ku të pranishëm ishin dhe shumë ish- kolegë të skenës të ardhur nga Tirana, si Tinka Kurti, Rikard Ljarja, Roza Anagnosti, Pirro Milkani, etj, si dhe drejtuesit më të lartë të qeverisjes vendore e deputetë të Parlamentit. Në karrierën e gjatë dhe të suksesshme të Artistit të Merituar Bep Shiroka numërohen mbi 150 role në teatër dhe kinematografi, që nga dalja e tij e parë në skenë në dramën "Nora e Kelmendit". Në kujtesën e të gjithëse do të mbesin interpretimet e tij tek komedia dhe filmi "Çifti i lumtur", që e bëri atë mjaft popullor, por edhe role të tjera si ato te "Baca i Gjetajve", "Dasëm me Flamur", "Hetimi", "Nora e Kelmendit", "Lugina e Peshkatarit", "Koncert në vitin 1936", "Besa e Kuqe", "Kërcënimi", "Flaka e maleve", etj, për të mbërritur deri tek dalja e tij e fundit në skenë, komedia "Putargat e Thata". /e.ç/
KOMENTE