English

Shpallet Miss Shqipëria 2010, fiton 16 vjeçarja nga Tirana Nevina Shtylla

Shihni fotot te GALERIA

Gjirokastër, 2 Korrik 2010 NOA - 16 vjeçarja nga Tirana Nevina Shtylla, ka qenë ajo që ka rrëmbyer kurorën e më të bukurës shqiptare, mbrëmë në kalanë e Gjirokastrës. Mes 32 konkurrenteve të ardhura nga të gjitha krahinat shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve, por edhe vende perëndimore ku jetojnë prej vitesh, bukuroshja nga Tirana ka arritur të dallojë, duke fituar kurorën e ëndërruar. Shoqëruesja e parë u shpall Vjola Hoxha, ndërsa shoqëruesja e dytë u shpall Xhesika Duni.

Siç ka ndodhur përgjatë këtyre 12 viteve konkursi i bukurisë, përveç garës së fortë solli në një nga pikat historike më të njohura shqiptare edhe një spektakël të shkëlqyer, me të ftuar dhe surpriza të shumta.

Performuan mbrëmë, nën drejtimin e Inis Gjonit dhe Artan Imamit, disa nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare dhe të huaj. Përveç këngëtarëve nga Italia dhe Greqia, të ftuar posaçërisht nga Bozo, ishin dhe emra të njohur shqiptarë që ia shtuan ritmin spektaklit. Eranda Libohova, mike e vjetër e këtij eventi, Vëllezërit Korçarë gjithashtu, Orinda Huta e Gerta Heta sollën para publikut, sharmin, elegancën dhe shijen e muzikës së mirë e performancës së zgjedhur.

Krahas tyre, performanca e vetë vajzave, të cilat garuan për të rrëmbyer kurorën që prej një viti e mbante bukuroshja korçare Ertemiona Meidani, sollën një natë vërtetë të paharrueshme në kalanë e lashtë të Gjirokastrës.

Juria këtë vit kishte në përbërjen e saj personalitete të artit dhe kulturës. Për vajzat konkurrente u dhanë dhe disa çmime të tjera si “Miss Turizmi”, “Miss buzëqeshja”, “Miss eleganca”, “Miss inteligjenca” etj.

Spektakli nga ku doli vajza më e bukur e Shqipërisë, përmban në vetvete konkursin e bukurisë, atë të inteligjencës, si dhe një garë të aftësive artistike të pjesëmarrësve.

Shumë vajza nga qytete të ndryshme të Shqipërisë janë paraqitur, që në ditën e parë të seleksionimit të vajzave, që morën pjesë në edicionin e këtij viti të “Miss Shqipëria 2010”.

Pas paraqitjes së tyre ka shënuar kështu starti i këtij konkursi bukurie të organizuar nga “Deliart Assocation” me producent Petri Bozo.

Në këtë edicion të 12-të të konkursit të organizuar nga Petri Bozo konkurruan në Kalanë e Gjirokastrës, mbrëmjen e 1 korrikut, 32 vajza të përzgjedhura nga 450 pretendente të paraqitura në zyrat e “Deliart Association”.

a.c/r.n/NOA

KOMENTE