English

Shperthim Ne Veri Te Mitrovices, Sejdiu: Aktet E Dhunshme Teresisht Te Papranueshme

PRISHTINË, 2 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Një shpërthim ka ndodhur sot në veri të Mitrovicës dhe sipas njoftimeve ka të plagosur. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, dënoi shpërthimin e sotëm në "Lagjen e Boshnjakëve" në Mitrovicë, si pasojë e të cilit u plagosën disa qytetarë, të cilët po protestonin kundër hapjes së Zyrës së Qeverisë së Kosovës në Mitrovicë, njofton Presidenca kosovare. "Institucionet e Republikës së Kosovës janë thellësisht të përkushtuara për krijimin e një mjedisi paqësor, te stabilizuar dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim etnie e besimi, prandaj vlerësojmë se aktet e dhunshme si ky i sotmi janë tërësisht të papranueshme", tha Presidenti Sejdiu. Presidenti Sejdiu ripohoi se dhuna cenon interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe kerkoi nga institucionet përgjegjëse, vendëse dhe ndërkombëtare, që urgjentisht ta ndriçojnë këtë akt, ndersa fajtorët te dalin përpara drejtësisë, përfundon komunikata nga Presidenca. Ndërkohë, sapo u paralajmërua se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbajë konferencë për media sot pasdite. /a.ke/
KOMENTE