English

Sport-Botëror/ Çerekfinalet, "Guri I Provës" Për Shumë Përfaqësuese Në Botëror

- Spanja, Brazili, Argjentina, Gjermania dhe Holanda kanë bindur. Italia, Franca, Anglia, Portugalia dhe vendet afrikane kanë zhgënjyer - TIRANË, 2 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/ - Pas përfundimit edhe të ndeshjeve të një të tetave, kur kanë mbetur ende vetëm tetë ekipe në lojë për të synuar trofeun e Kampionatit Botëror, mediat e ndryshme botërore sportive kanë bërë "skanerin" e 56 ndeshjeve të para, përfshirë fazën e grupeve dhe ato te një të tetave. Tashmë është ora të ngrihet perdja e këtij Botërori historik, i pari i zhvilluar në tokën afrikane. Shumë ekipe kanë bindur, të tjerë kanë zhgënjyer plotësisht, duke qenë shumë larg asaj që ato kanë premtuar për shkak të emrit, historisë dhe formatit. Sigurisht, jemi ende larg epilogut të këtij kampionati, kur kanë mbetur për t'u luajtur çerekfinalet, gjysmëfinalet, finalja e vogël dhe ajo e madhe. Gjithsesi, spektakli i paraqitur është shumë larg që të gjithë prisnin. Italia dhe Franca, dy finalistet e Botërorit të vitit 2006, u larguan me turp nga kampionati i Afrikës së Jugut, madje duke e mbyllur në vendet e fundit në grupet përkatëse (A, E), madje pa asnjë fitore. Me zero pikë e mbylli aventurën Kameruni i Samuel Eto'o-së, pikërisht në kontinentin e tij. Dhe akoma rëndon ky Botëror me daljet e parakohshme të Portugalisë dhe Anglisë, në një të tetat e finaleve. Dy ekipe që kanë gjirin e tyre disa nga yjet e planetit, duke mos i justifikuar aspak. Spanja, kampionia në fuqi e Europës, mbërriti në tokën afrikanojugore me shumë certifikata në valixhe. Me një bilanc të jashtëzakonshëm e që të gjithë e konsideronin favorite absolute. Bilanci i saj nga viti 2007: 48 ndeshje, në të gjitha kompeticionet së bashku, 43 fitore, 4 barazime dhe 1 humbje. 113 gola të shënuar, 22 të pësuar. Me një seri prej 12 fitoresh rresht, me një demonstrim force përballë Francës (2-0) dhe Polonisë (6-0). Këto fakte e bënin një favorite të padiskutueshme. Por, megjithatë "La Roja" e nisi debutimin e kampionatit me një surprizë të shëmtuar, me një humbje përballë Zvicrës (0-1). Një rezultat që nuk e priste askush, e që i torturoi spanjollët deri në ndeshjen e fundit të grupeve kundër Kilit. Megjithatë, Spanja i përfundoi ndeshjet si e para e grupit të saj, e duke eliminuar më pas Portugalinë në një të tetat (1-0). Por, Spanja ende nuk e ka gjetur veten, për të krijuar bindjen se ajo të kthehet në vend me trofeun e Kupës së Botës. Brazili fluturoi në grupin e tij dhe ndaj Kilit (3-0) në një tetat e finaleve tregoi se e meriton ta fitojë për herë të gjashtë Kupën e Botës, përpara se ajo të zhvillohet pikërisht në shtëpinë e "Seleçao"-s në vitin 2014. Gjithsesi, loja e tij është ende larg spektaklit të paraardhësve të tij. Kjo "seleçao" është solide dhe tmerrësisht shumë realiste, por ende jo shumë joshëse. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Holandën, që nga ana e saj shkëlqen më shumë prej individëve se sa nga kolektivi i saj. "Tulipanët" fituan tri ndeshjet në grup dhe kundër Sllovakisë (2-1) në një të tetat e finaleve, por në fakt nuk kanë shkëlqyer. Përfundimisht, vetëm Gjermania dhe Argjentina për momentin kanë dhënë atë që të gjithë prisnin, ose ndoshta dhe më mirë. Dy formacionet kanë paraqitur një lojë më shumë ofensive, duke qenë në kontrast të plotë me futbollin e mërzitshëm të parë në shumë ndeshje. Paraqitje të bukura kanë bërë edhe disa ekipe që askush nuk i priste të ishin në këtë nivel (Shtetet e Bashkuara, Sllovakia, Japonia, Koreja e Jugut, Kili dhe Sllovenia). Mbeten edhe tetë ndeshje në total nga përfundimi i Kampionatit Botëror, për të përmbysur tendencën. /a.ke/
KOMENTE