English

Sport-Botëror/ Holandë - Brazil, Përballja Klasike E Kupës Së Botës

- Takimi në Afrikën e Jugut është përballja e katërt midis dy vendeve -. TIRANË, 2 Korrik Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Ndeshja e parë çerekfinale e Kupës së Botës që do të zhvillohet sot në orën 16:00, Holandë - Brazil do të vërë përballë dy shkolla të ndryshme futbolli. Për tifozët që kërkojnë të shohin sa më shumë gola dhe spektakël, Holandë-Brazil mund të jetë ndeshja e duhur, pasi të dyja ekipet janë në gjendje ta çojnë topin drejt e në rrjetë. Pesë herë Kampionët e Botës kanë treshen e rrezikshme Luis Fabiano, Robinho dhe Kaka. Ndërsa holandezët kanë në sulm Arjen Robben, Ëesley Sneijder dhe Robin van Persie. Holandezët do të kërkojnë me gjithë forcë fitoren, për të hequr emrin që u ka mbetur, si "Skuadra që dhuroi spektakël, por nuk ishte në lartësinë e duhur për të vazhduar garën". Nga ana tjetër e fushës do të ndodhet Brazili, që krahas 5 trofeve, ecën me vetëbesim të madh në ndeshje, pas 12 fitoreve të njëpasnjëshme. Mbetet me interes strategjia që do të ndjekë trajneri Dunga, i cili me ardhjen në Afrikë të Jugut ka shfaqur anën mbrojtëse të Brazilit, krahas sulmit elegant. Brazili nga ana e tij shkatërroi në 1/8-a Kilin me rezultatin 3-0, në një ndeshje të dominuar plotësisht. "Disa njerëz kishin ngritur dyshime për formën tonë", - tha trajneri i Brazilit, Karlos Dunga. "Por sa më larg që ne shkojmë, aq më shumë besimi rritet dhe rritet dhe ne shpresojmë të shkojmë deri në finale". Holanda nuk ka fituar kurrë një Botëror, pavarësisht se ka e ka arritur finalen dy herë rresht, në vitin 1974 (humbi kundër Gjermanisë) dhe 1978 (kundër Argjentinës). Holandezët besojnë se kanë ekipin e duhur për ta fituar turneun, edhe pse kanë disa probleme "familjare" brenda ekipit. Pengesa e tyre e madhe quhet Brazili, pasi çifti tjetër çerekfinal kompozohet midis Uruguait dhe Ganës. Ylli i Holandës, Arjen Roben, i cili luajti për herë të parë si titullar në ndeshjen kundër Sllovakisë, është në top-formë prej disa muajsh. "Unë mendoj se ndeshja jonë perfekte ende nuk është luajtur, por ajo mund të ndodhë kundër Brazilit". Janë tre precedentë midis dy skuadrave. E para ka ndodhur në vitin 1974, ku tulipanët fituan 2-0 në fazën e dytë të grupeve. Në vitin 1994, Brazili fitoi 3-2. Takimi i tretë dhe i fundit daton në vitin 1998 (në gjysmëfinale), kur Brazili fitoi me penallti 5-3, pasi ndeshja përfundoi 1-1 pas kohës shtesë. Takimi në Afrikën e Jugut është përballja e katërt midis dy vendeve. Holandë - Brazil, formacionet e mundshme: Holanda (4-2-3-1): Stekelenburg, Van der Wiel, Heitinga, Mathijsen, Van Bronckhorst; Van Bommel, De Jong; Kuyt, Sneijder, Robben, Van Persie. (Boulahrouz, Ooijer, de Zeeuw, Braafheid, Vorm, Elia, Schaars, Babel, Afellay, Huntelaar, Boschker,Van der Vaart). Trajner: Van Marwijk Brazili (4-2-3-1): Julio Cesar, Maicon, Lucio, Juan, Bastos; Gilberto Silva, Dani Alves; Ramires Kaka, Robinho; Luis Fabiano. (Gomes, Felipe Melo , Luisao, Thiago Silva, Gilberto, Josue, Elano , Julio Baptista, Kleberson, Nilmar, Doni, Grafite). Trajner: Karlos Dunga./n.m/
KOMENTE