Sport-Koment/ Aventura Evropiane E Skuadrave Shqiptare, Çdo Vit E Njëjta "Muzikë"
TIRANË, 2 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/ - Edhe këtë vit klubet shqiptare kanë treguar se nuk janë të gatshme për të përballuar rivalet e tyre evropiane.
Laçi dhe Tirana dy ekipet e para shqiptare në Europa League morën secila nga një barazim në fushën e tyre, në takimet e para, që kanë shumë shijen e eleminimit që në turin e parë.
Pra edhe këtë sezon duket se po përsëritet e njëjta "muzikë" në aventurën e shkurtër të skuadrave shqiptare në Evropë.
Tifozët shqiptarë janë mësuar tashmë që ekipet tona të eliminohen shpejt nga Kupat e Europës. Ende nuk mund të mendohet që ekipet shqiptare të kalojnë në fazën me grupe, por të paktën të luhet futboll, ky pretendim është legjitim për këdo sportdashës.
Një ekip si Laçi, i cili debutoi në Kupat e Europës këtë vit, për të cilin edhe pjesmarrja mund të quhet një sukses, mund t'i falet një barazim në debutimin evropian.
Por, ajo që lë shije të hidhur është mënyra sesi u arrit ky rezultat, ku Laçi pasi dominoi takimin dhe po e fitonte atë, barazohet vetëm në kohën shtesë nga bjellorusët, që gjithashtu janë modestë në Kupat e Evropës, megjithëse jo debutues si kurbinasit.
Arsyet mund të jenë të shumta, ndoshta mungesa e eksperiencës, por më tepër duket se u ripërsërit një "sëmundje" e vjetër e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe ekipin kombëtar, pësimi i golit në minutat e fundit.
Laçi, ashtu si gjithë futbolli shqiptar, mund të ketë vuajtur eksperiencën e pakët, por ndoshta edhe përgatitjen fizike, kur dihet që ekipet lindore kanë përgatitje më të mirë fizike se skuadrat tona në Kupat e Evropës, duke ditur se aty kampionati ka filluar tashmë.
Por nëse për Laçin barazimi mund të jetë i pranueshëm, paraqitja e Tiranës në një gjendje pothuajse të mjeruar përballë hungarezëve të ZTE në Europa League, që ishte objektivi i sezonit të shkuar, është diçka që nuk mund të kalohet lehtësisht.
Drejtuesit e bardhebluve nuk mundën të gjenin një kompromis, për të paraqitur në fushë një ekip dinjitoz dhe jo rezervat e sezonit të shkuar.
Vetëm blerja e kroatit Pero Pejiç në sulm dhe afrimi i portierit Ilion Lika, nuk mund të justifikojnë largimin e shtatë titullarëve të sezonit të kaluar, në prag të sfidave për Europa League.
Mosmarrëveshjet mes Bashkisë dhe presidencës së klubit, nuk duhet të ndikojnë në cilësinë e skuadrës së Tiranës, e cila për të dytin vit rresht vuajti "burokracinë", duke mos luajtur shanset e saj në arenën evropiane.
Tashmë është radha e Besës në Europa League përballë Olimpiakosit dhe e Dinamos në Champions përballë kampiones moldave, Sherif Tiraspol.
Ndërsa për kavajasit një eleminim është mëse i kuptueshëm, duke qenë se kanë përballë një ekip me emër në futbollin Evropian, i takon Dinamos që të mbajë lart emrin e klubeve shqiptare këtë vit në Evropë. Një mision që duket mjaft i vështirë duke parë që Sherif Tiraspol arriti deri në turin e tretë të Championsit sezonin e kaluar (i eleminuar vetëm nga Olimpiakos) dhe luajti në fazën e grupeve në Europa League, pra një ekip me eksperiencë ne Evropë.
Ajo që shpresojnë tifozët shqiptare është që të paktën një ekip të kalojë një tur në Kupat e Evropës, objektivi minimal që mund t'i kërkohet sot ekipeve shqiptare. /a.ke/